Rrustemi argumenton se komisioni duhet t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit
Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, ka argumentuar se komisioni duhet t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit, pas kundërshtimit nga kryetari i komisionit.
Rrustemi tha se janë “plotësuar tri elemente” që kjo të ndodhë.
“E para, pala e autorizuar që mund të propozojë amendamente që, në rastin konkret presidentja e republikës këtë autorizim, e ka me Kushtetutë. Elementi i dytë esencial, është që amendamentet para sa të votohen nga deputetët duhet t’i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se elementi i tretë “është votimi i amendamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese në kuptimin e votës së kërkuar, në procesin e votimit të 2/3 e deputetëve dhe të procesit të votimit të dyfishtë natyrisht. Dy elementet e para procedurale, pavarësisht kohës, janë të përmbushura”.
Ai theksoi se afati kohor i amendamenteve në fjalë është krejtësisht “afat operativ i Kuvendit të Kosovës i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë as logjikisht as proceduralisht”.
Ajo çfarë mbetet të ndodhë, sipas tij, është votimi në seancë pasi që Komisioni për Legjislacion t’ia ketë dërguar rekomandimin.
"Nëse ka vullnet politik nga partitë politike për të ecur përpara në këtë drejtim nuk shoh asnjë pengesë as procedurale, as juridike dhe as kushtetuese", shtoi ai.
Gruda thotë se amendamentet e Osmanit nuk duhet të shqyrtohen
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, tha se komisioni nuk mund t’i shqyrtojë amendamentet e dërguar nga presidentja Osmani.
Sipas Grudës, i cili vjen nga Partida Demokratike e Kosovës në opozitë, amendamentet janë të vjetra, pra nga viti 2011, dhe se ato nuk mund të sillen nga presidentja.
“Për t’u konsideruar një amendament i vlefshëm, duhet të niset nga fillimi, të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, të vjen nga Gjykata dhe Komisioni të mblidhen brenda shtatë ditëve qysh e kërkon rregullorja, dhe i procedon ato për seancë. Prandaj, ky propozim është i paafatshëm. Amendamentet e bëra para një dekade nuk mund të sillen sot dhe ato nuk mund të sillen nga presidentja”, argumentoi Gruda.
“Nuk ka asgjë të keqe të hapet debat për ndryshime kushtetuese, por kjo nuk mund të bëhet duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda.
Fillon mbledhja e Komisionit për Legjislacion
Mbledhja e Komisionit për Legjislacion e ka filluar një mbledhje për t'i shqyrtuar amendamentet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.
Haxhiu ngarkon komisionin t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit
Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se janë ngarkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që t’i shqyrtojnë amendamentet e propozuara nga presidentja Osmani.
Sipas Rrustemit, miratimi i këtyre amendamenteve eliminon “ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve”.
“Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.
Mbledhja për shqyrtimin e amandamenteve do të mbahet në orën 18:00, sipas Vigan Qorrollit, anëtarit të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.