Fillon seanca për presidentin
Seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka filluar me një mungesë të madhe deputetësh.
Vetëm 64 deputetë janë të pranishëm në sallë, ndërsa mungojnë 56 të tjerë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të vijnë në seancë.
Ndiqeni drejtpërdrejt seancën:
Abdixhiku: Presim shpërndarjen e Kuvendit qysh në mesnatë
Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka quajtur “monopartiake” seancën e thirrur për të votuar kandidatët për postin e presidentit, duke thënë se kandidatët e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje - Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku - tregojnë se nuk ka gatishmëri për bashkëpunim.
“Ka qenë kundërshtim që e kemi thënë vazhdimisht edhe publikisht që kandidati s’duhet të ketë librezë partiake. Të dy kandidatët janë pjesë e LVV-së, kështu nuk arrihet konsensusi”, tha Abdixhiku, gjatë konferencës, ku u shfaq përkrah deputetëve të tjerë të LDK-së në hollin e Kuvendit të Kosovës.
Ai insistoi se tani LDK-ja pret zgjedhje të parakohshme, duke thënë se pret që presidentja aktuale, Vjosa Osmani, të nënshkruajë dekret për shpërndarje të Kuvendit, qysh në mesnatë.
“Kushtetuta është e qartë. Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme”, shtoi ai.
LVV e propozon Fatmire Mullhaxha-Kollçakun për presidente të Kosovës
Paria në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e ka propozuar edhe kandidatin e dytë për president të Kosovës, duke plotësuar kushtet për një garë presidenciale.
Ajo e propozoi deputeten Fatmire Mullhaxha-Kollçaku.
Deputeti i Lidhjes Demokratike, Besian Mustafa, e postoi në Facebook njoftimin e Kollçaku është kandidatja e dytë.
Partia e kryeministrit Albin Kurti e kishte propozuar paraprakisht edhe Glauk Konjufcën.
Seanca për votimin për president pritet të mbahet nga çasti në çast.
Rrustemi: Seanca mund të nisë edhe me një kandidat
Pak para nisjes së seancës për zgjedhjen e presidentit, Glauk Konjufca është ende i vetmi kandidat për këtë post.
Deputeti i LVV-së, Adnan Rrustemi tha se “deri më tani nuk kemi asnjë informacion për kandidatin e dytë”.
Sipas tij seanca mund të nis edhe pse ende nuk ka një kandidat të dytë. “Deputetët mund të nënshkruajnë për kandidatin tjetër kur të vijnë në seancë”, tha Rrustemi.
Ai tha se nuk mund ta konfirmojë se kandidate e Konjufcës është deputetja Fatmire Mullhaxha-Kollçaku, për të cilën u raportua se më herët.
Ai shtoi se zgjedhjet nuk mund të shpallen nesër nëse sonte nuk zgjidhet presidenti i Kosovës.