Fillon seanca për presidentin
Seanca për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës ka filluar me një mungesë të madhe deputetësh.
Vetëm 64 deputetë janë të pranishëm në sallë, ndërsa mungojnë 56 të tjerë.
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u bëri thirrje deputetëve të vijnë në seancë.
Ndiqeni drejtpërdrejt seancën:
Haxhiu u kërkon deputetëve të shkojnë në seancë, thotë se nuk i morën leje për të munguar
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, po u bën thirrje vazhdimisht deputetëve të opozitës të marrin pjesë në sallë për seancën për zgjedhjen e presidentit të ri.
Ajo tha se deputetët e kanë “detyrim” të jenë të pranishëm sipas Kushtetutës së vendit dhe se ata nuk kanë marrë leje për të munguar.
Aktgjykimi në rastin e zgjedhjes së Behgjet Pacolli për president, të cilit iu referua kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në pikën 83 thotë se “të gjithë 120 deputetët e Kuvendit duhet të ndjehen të obliguar” sipas Kushtetutës dhe ligjeve që të marrin pjesë në seanca plenare, ndërsa pika 84 thotë se ata “duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese të tyre” zgjedhjen e presidentit.
Kjo çështje ishte sqaruar në aktgjykimin tjetër të Kushtetueses, për rastin e zgjedhjes së Hashim Thaçit president në vitin 2016, kur LVV-ja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate kishin kërkuar që zgjedhja e tij të shpallej antikushtetuese, me arsyetimin se nuk kishin marrë pjesë 120 deputetë në votim dhe se s’ishte përmbushur kuorumi.
Pika 74 e atij dokumenti kishte dalë në përfundim se nuk është as parakusht, dhe as kërkesë kushtetuese, që të gjithë 120 deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë, për të qenë i vlefshëm vendimi i zgjedhjes së presidentit.
Në mungesë të opozitës, zgjedhja e presidentit është e pamundur
Deputetët e opozitës nuk duken të gatshëm të kthehen fare në seancë për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, kur kanë mbetur më pak se dy orë deri në përfundim të afatit kushtetues.
Në mungesë të tyre, zgjedhja e presidentit është e pamundur, pasi nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
Në sallë janë të pranishëm vetëm 66 deputetë, ndërsa mungojnë 54 të tjerë.
Komisioni konfirmon kandidaturat e Konjufcës dhe Mullhaxha-Kollçakut
Zëvendëskryetari i Komisioni Parlamentar për Legjislacion, Vigan Qorrolli, tha se pas shqyrtimit të dokumentacionit të kandidatëve Glauk Konjufca dhe Fatmire Mullhaxha-Kollçaku për postin e presidentit, komisioni vlerësoi se mund të procedohet me nominimin e tyre në Kuvend.
"Komisioni ka konstatuar njëzëri se kandidatët e nominuar për president të Kosovës i plotësojnë kushtet e parapara me Kushtetutë", tha Qorrolli.