Në mungesë të opozitës, ndërpritet seanca për president
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka ndërprerë seancën për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës në mungesë të kuorumit.
Në sallë ishin të pranishëm vetëm deputetët e pushtetit dhe mungoi opozita.
“Nuk ka kuorum për ta vazhduar këtë seancë. Disa herë u bëra thirrje deputetëve të vijnë dhe të jenë të pranishme, por ata nuk janë të pranishëm dhe kështu nuk i kemi 2/3 e deputetëve. Nuk mund të vazhdojmë me votimin”, tha Haxhiu.
Për të pasur kushte për zgjedhjen e presidentit nevojiten së paku 80 deputetë të pranishëm në sallë.
Haxhiu tha se, nëse plotësohen kushtet, seanca do të vazhdojë, pa shpjeguar më shumë.
A shkon vendi në zgjedhje pas dështimit për ta zgjedhur presidentin?
Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit, 5 marsi, mbaron brenda minutash, dhe Kuvendi nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri.
Ka pasur interpretime të ndryshme nëse Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje.
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet me zgjedhje.
Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike si shkuarja në zgjedhje.
Miftaraj shtoi se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.
“Janë vetëm dy situata në të cilat shkohet në zgjedhje. E para, nëse, ta zëmë, më 5 mars fillon procesi për zgjedhjen e presidentit, dhe i njëjti nuk përmbyllet brenda 60 ditësh, automatikisht vendi shkon në zgjedhje. Dhe, në situatën e dytë, nëse në rundin e tretë të votimit për president nuk janë votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur presidenti”, sqaroi Miftaraj.
Haxhiu i kërkon Kushtetueses t’i pezullojë afatet për zgjedhjen e presidentit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës, pak minuta para afatit për emërimin e tij.
Haxhiu shkroi në Facebook pak para mesnatës se “sapo i jemi drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së procedurës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.
“Kemi kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vendosë masë të përkohshme për pezullimin e afatit kushtetues që lidhet me procedurën e zgjedhjes së Presidentit, deri në publikimin e aktgjykimit”, shkroi ajo.
Ajo theksoi se për ketë është njoftuar edhe presidentja Vjosa Osmani.
Ndërkohë, Arbërie Nagavci nga partia në pushtet, tha se gjykatës do t’i kërkojnë edhe masa kundër deputetëve të opozitës, të cilët nuk morën pjesë në seancë dhe kështu pamundësuan votimin për president.
“Presim dhe bëjmë thirrje që të shqyrtohet me prioritet kjo kërkesë e jona, sepse besojmë se deputetët që nuk morën pjesë në seancë kanë shkelur Kushtetutën”, tha Nagavci.
Rashiti thotë se Kosova do të futet në krizë të thellë “pa rrugëdalje”
Drejtori i Grupit Ballkanik për Politika në Prishtinë, Naim Rashiti, tha se partitë politike bënë “shumë veprime të gabueshme”, ndër to, “dy të mëdha”.
“Që opozita nuk propozoi emra (ka mjaftë) për kandidatë për president, dhe që Vetëvendosje nuk pranoi dhe ofroi hapësirë serioze për kandidatë më gjithëpërfshirës për postin e presidentit”, shkroi Rashiti në Facebook.
Ai mori shembull Bosnje e Hercegovinën si një vend që arrin t’i shmangë telashet e tilla, pavarësisht se ka një sistem më të ndërlikuar politik.
“Sa për dijeni, boshnjakët, kroatët e serbët gjithmonë arrijnë t’i formojnë të gjitha institucionet dhe ndajnë të gjitha pozitat udhëheqëse federale të shtetit në Bosnje”, shkroi ai.
Por, në Kosovë, theksoi ai, ka vite që partitë shqiptare “nuk mund të merren vesh për gjë…keq shumë keq”.
“Do të futemi në krizë të thellë pa rrugëdalje…”