Gazetare e Radios Evropa e Lirë në Prishtinë.
Në Kosovë është shënuar Dita ndërkombëtare në përkujtim të personave që kanë humbur jetën në vendin e punës. Me këtë rast, përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, edhe pse nuk kanë dhënë statistika se sa është numri i këtyre viktimave, kanë thënë se ky fenomen është shqetësues për institucionet dhe shoqërinë kosovare në përgjithësi.
Autostrada Vërmicë-Merdare nuk do të përfundojë me 700 milionë euro, thonë ekspertë për çështje ekonomike. Sipas tyre, kostoja e projektit do ta kalojë shumën mbi një miliard euro. Ekspertët thonë se kompania e përzgjedhur për ndërtimin e autostradës “Bechtel & Enka”, ka ndërtuar edhe autostradën Durrës-Kukës, për të cilën kostoja e ndërtimit ishte dyfishuar nga ajo e planifikuar fillimisht.
Pensionistët kosovarë, ka një dekadë që përballen me kushte të vështira socio-ekonomike. Por, siç duket, tashmë kanë filluar ta humbasin durimin. Përfaqësues të tyre kërkojnë nga autoritetet kompetente që t’i rrisin pensionet, në të kundërtën, në muajin maj, ata do të organizojnë protestë. Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë pohojnë se janë duke i rishikuar mundësitë për rritje të pensioneve.
Edhe në Kosovë, si në gjithë botën, me aktivitete të ndryshme është shënuar Dita Ndërkombëtare e Tokës. Për nder të kësaj date, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe vendore kanë apeluar te autoritetet kompetente dhe qytetarët për ruajtjen e resurseve mjedisore.
Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë publikoi rezultatet e një studimi, lidhur me pikëpamjet e komunitetit të biznesit privat mbi procesin e privatizimit. Sipas këtij studimi, kompanitë private vlerësojnë se ndërmarrjet publike duhet t’i nënshtrohen procesit të privatizimit sa më shpejt, gjë që, sipas tyre, do të ndikonte në rritjen e efikasitetit të tyre dhe në uljen e nivelit të korrupsionit.
Përfaqësues të komunitetit të biznesit dhe ekspertë për çështje ekonomike, përkrahin realizimin e projektit për ndërtimin e autostradës Vërmicë- Merdare, por kërkojnë nga Qeveria transparencë në menaxhimin e mjeteve. Ata, madje, shprehin shqetësimin se mosdhënia e detajeve, se nga do të kalojë traseja, lë hapësirë për dyshim.
Edhe pse ka kaluar më se një vit që kur Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar produktet kosovare, Qeveria e Kosovës nuk ka arritur ende ta zgjidhë këtë problem. Ekspertët thonë se autoritetet po tregohen të papërgatitura karshi çështjes në fjalë.
Në Kosovë ende nuk është funksionalizuar Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar ose të Sekuestruar, edhe pse kjo agjenci, në bazë të ligjit, tashmë është dashur të jetë funksionale, thonë zyrtarë qeveritarë. Ndërsa, ekspertë për çështje ekonomike shprehin dyshim në efikasitetin e kësaj agjencie edhe pas funksionalizimit, për shkak se, siç thonë ata, në Kosovë ende mungon ligji për konfiskimin ose sekuestrimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.
Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, zyrtarë të institucioneve shëndetësore dhe atyre mjedisore kanë debatuar për shëndetin e qytetarëve në viset urbane. Kjo çështje është vënë në diskutim, pasi, sipas tyre, urbanizmi është një nga sfidat kryesore të shëndetësisë në shekullin 21.
Në Kosovë ende nuk ka ndonjë ligj të posaçëm, me të cilin bëhet konfiskimi i pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme. Në gjë e tillë, sipas autoriteteve kompetente, rregullohet me Kodin Penal të Kosovës. Në anën tjetër, njohës të çështjeve ekonomike, thonë se në Kosovë ka raste të shumta të personave që pasurinë e tyre nuk e justifikojnë me të ardhurat e tyre.
Përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës dhe ata të sindikatës zvicerane "UNIA", në një konferencë për media, kërkuan nga autoritetet zvicerane që të vazhdojnë marrëveshjen për sigurime sociale. Ndryshe, kjo marrëveshje ishte nënshkruar në kohën e ish- Jugosllavisë, afati i së cilës ka skaduar të enjten.
Çështja e fondit të privatizimit apo e mjeteve të përfituara nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore, vazhdon të mbetet temë debatesh ndërmjet Bankës Qendrore dhe Agjencisë Kosovare të Privatizimit. Përfaqësues të kësaj të fundit thonë se mjetet gjenden jashtë Kosovës dhe se nuk mund t’i shfrytëzojnë ato, por ata të Bankës Qendrore thonë se, varësisht prej kërkesave, AKP-ja mund t’i ketë në disponim këto mjete.
Fondi i privatizimit i fituar nga shitja e ndërmarrjeve publike, ende mbahet jashtë Kosovës. Anëtarë të Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe ekspertë për çështje ekonomike, shprehin nevojën për kthimin e këtyre mjeteve. Por, anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, thonë se kanë kërkuar nga Banka Qendrore e Kosovës kthimin e tyre, ndërsa zyrtarë të BQK-së deklarojnë se mjetet mund të kthehen atëherë kur Agjencia ka projekte të gatshme për investime.
Partitë në pushtet dhe ato në opozitë japin mendime të ndryshme rreth procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike. Përderisa përfaqësues të partive në pushtet pohojnë se procesi do të jetë transparent, ata të opozitës dyshojnë në mënyrën e realizimit të këtij procesi.
Në Kosovë ekzistojnë katër kompani të akredituara për kontrollimin e cilësisë së derivateve të naftës. Por, vetëm njëra prej tyre është e autorizuar që t’i bëjë analizat laboratorike në pikat doganore.
Mbi 200 milionë euro të buxhetit të Kosovës thuhet se gjenden jashtë sistemit bankar të Kosovës. Anëtarë të Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare thonë se Qeveria nuk po jep informacione për këtë shumë të mjeteve buxhetore.
Kosova ende përballet me efektet e krizës globale financiare, thonë njohës të çështjeve ekonomike. Sipas tyre, në këtë kuadër po ndikon edhe rënia e remitencave nga diaspora dhe zvogëlimi i investimeve të huaj. Megjithatë, ekspertët japin mendime të ndryshme se a do t’i kalojë Kosova efektet e krizës gjatë këtij viti.
Kuvendi i Republikës së Kosovës, gjatë seancës së sotme, nuk ka miratuar strategjinë e energjisë për periudhën 2009-2018. Pas vërejtjeve të partive opozitare dhe të disa deputetëve, Kuvendi ka marrë vendim që kjo strategji të plotësohet dhe të miratohet në seancën e radhës.
Shfaq më shumë