Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë, të gatshme për memorandum


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë
Partitë në pushtet dhe opozitë thonë se janë të përkushtuar për integrimin euroatlantik të vendit dhe nënshkrimin e një memorandumi për përshpejtimin e këtij procesi.

Reagimet e tyre vijnë pas mesazheve të një dite më parë në Shkup të komisionarit për zgjerim të Bashkimit Evropian, Shtefan Fyle, i cili tha se integrimi i Maqedonisë po mbahet peng nga liderët politikë, të cilët, interesat partiake i kanë vendosur mbi interesat shtetërore.

“Interesi ynë kryesor, si shtet, është që sa më parë të bëhemi pjesë e NATO-s dhe e BE-së. Besoj se një memorandum të tillë do ta nënshkruanin të gjitha partitë. Konsideroj se ditëve në vazhdim mund të formohet edhe komisioni anketues, por çështja kryesore mbetet ajo e zgjidhjes së kontestit për emrin”, thotë Pavle Trajanov, një nga liderët e koalicionit të partive maqedonase në pushtet të udhëhequra nga VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, edhe Andrej Petrov nga LSDM-ja opozitare, shpreh gatishmërinë e opozitës për mbështetjen e procesit integrues.

“LSDM-ja absolutisht është e përkushtuar për procesin euro-integrues. Çështja e memorandumit që u përmend nga zoti Fyle, është pjesë e marrëveshjes së marsit. Në jemi të gatshëm të nënshkruajme një memorandum të tillë, por vetëm pasi të jetë formuar komisioni për hetimin e incidentit në Kuvend”, shprehet Petrov.

Nga ana tjetër, njohësit e zhvillimeve politike thonë se mesazhet e Fyles, u adresohen para së gjithash partive në pushtet. Nazmi Maliqi, profesor në Universitetin Fon, thotë se tani, pas zgjedhjeve lokale, pushteti i dy partive qeverisëse është përforcuar edhe më shumë, andaj ato janë edhe përgjegjëset kryesore për çdo zvarritje të mëtejme të procesit integrues.

“VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja tani që kanë pushtetin absolut, mund të shtyjnë edhe procese të tjera që do të ndikonin në përafrimin e vendit edhe në Bashkimin Evropian, edhe në NATO, pasi ato nuk kanë pengesa nga partitë tjera meqë tani janë sundues të kësaj hapësire që Maqedonia të jetë ose të mos jetë anëtare e BE-së. Pra, fajtor për çdo neglizhencë apo ngecje të këtij procesi për marrjen e datës për bisedime në BE, janë VMRO- DPMNE dhe Bashkimi Demokratik për Integrim”, thekson Maliqi.

Komisionari Fyle, të martën në debatin në Komisionin për çështje evropiane pyeti publikisht deputetët se edhe sa vjet mendojnë ta lënë Maqedoninë para dyerve të BE-së.

Reagimi i tij erdhi pas zënkave në prani të tij nga deputetët e pozitës dhe opozitës për atë se kush ishte fajtor për incidentin në Kuvend më 24 dhjetor që edhe shkaktoi krizën e thellë politike.

Komisionari Fyle kërkoi rezultate nga marrëveshja e marsit ndërmjet partive për kapërcimin e krizës politike. Por, analisti Zdravko Savevski nuk është shumë optimist sa i përket stabilizimit të skenës politike.

“Kriza politike në Maqedoni do të thellohet edhe më tej. Pra, pres që LSDM-ja të mos kthehet në Kuvend dhe ndoshta ka të drejtë për faktin se zgjedhjet u përshkuan me parregullsi të shumta, ndërsa në marrëveshjen e arritur për zgjidhjen e krizës, pushteti kishte dhënë garanci për zgjidhje të lira dhe demokratike, ndërkohë që nuk është plotësuar as kushti tjetër i formimit të Komisionit anketues, për të cilin me kritika doli edhe komisionari Fyle”, vlerëson Savevski.
XS
SM
MD
LG