Ndërlidhjet

Ekonomia joligjore ka varrosur prodhimin


Ekonomia jo ligjore në Kosovë është bërë pjesë e shoqërisë dhe komunitetit të biznesit.

Niveli i lartë i kësaj dukurie ka varrosur prodhimin, thonë përfaqësues të asociacioneve ekonomike dhe ekspertë të kësaj çështjeje.

Lufta ndaj ekonomisë se paligjshme është shumë e vogël, për shkak se ata që duhet të luftojnë janë të involvuar në mënyrë direkt apo indirekte në ekonominë jo formale.

Vetëm nga viti 2008 deri në vitin 2012, sipas autoriteteve doganore, janë regjistruar 4,280 raste si tentim i kontrabandimit të mallrave, mbi tetë milionë euro gjoba të shqiptuara, kurse mallrat e konfiskuara kapin shifrën mbi gjashtë milionë euro.

Adriatik Stavileci, zëdhënës në Doganat e Kosovës, thekson se vetëm gjatë vitit 2012 në komisionin për kundërvajtje doganore janë referuar gjithsej 1,007 lëndë.

Nga këto lëndë janë shqiptuar gjoba kundërvajtëse në shumë se 1 milion e 300 mijë euro, dhe konfiskime të mallrave në vlerë mbi një milion euro.

Ai megjithatë, thekson se dogana, në bashkëpunim më institucionet tjera kompetente, po bëjnë përpjekje që të minimizojë këtë dukuri.

Nuk mund të themi se nuk ka ekonomi informale, nuk mund të themi se nuk ka kontrabandim të mallrave. Por, në momentin që ka rritje të hyrave për secilin vit që kalon, do të thotë rriten të hyrat të cilat mblidhen nga taksat doganore në kufi, me mbi 2 për qind, që në aspektin monetar është mbi 20 milionë euro, atëherë nënkupton që kjo dukuri është duke u zvogëluat, por prapë nuk mund të themi se nuk është e pranishme”, thekson Stavileci.

Artikujt që më së shumti janë konfiskuar vitin e kaluar, sipas Stavilecit, janë stoli ari, automjete, veshmbathje, barna, telefona, produkte ushqimore, karburante dhe cigare.

Nga këto mallra më atraktive për kontranduesit kanë qenë karburantet, pasi që sipas doganave janë 81 raste, dhe produkte të ndryshme ushqimore me 125 raste.

Në anën tjetër, përfaqësueseve të komunitetit të biznesit thonë se përmasa e ekonomisë joligjore arrin deri në 40 për qind.

Në një përgjigje përmes postës elektronike, Arian Zeka, kryeshef ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane në Prishtinë, thotë se kjo përqindje jep arsye komunitetit të biznesit që të jetë i shqetësuar, për shkak të konkurrencës jo të barabartë me të cilën ata përballen.

“Kjo përqindje dëmton edhe buxhetin e shtetit për shkak të pamundësisë së mbledhjes së të hyrave. Në të njëjtën kohë sipas tij, kjo është edhe pengesë e madhe në përpjekjet e vendit për tërheqjen e investimeve të huaja”, thekson Zeka.

Prania e ekonomisë joformale në vend dëmton konkurrencën e lirë të tregut, thotë eksperti i ekonomisë Milazim Abazi.

Ai madje dyshon në përpjekjet e autoriteteve kompetente për luftimin e kësaj dukurie.

Është një evazion fiskal në përmasa shumë të mëdha. Rreth 38 deri 42 për qind është ekonomia informale në vend. Dhe kjo e dëmton shumë biznesin e rregullt në Kosovë, buxhetin e shtetit. Dhe Qeveria e Kosovës ende nuk ka marrë masa për të ulur këtë përqindje të lartë të ekonomisë joformale në vend”, thotë Abazi.

Por, cila është arsyeja e prezencës se ekonomisë se paligjshme në vend, sipas Adriatik Stavilecit.

“Për shkak se Kosova ka një kufi të gjatë me Serbinë, Malin e Zi, Shqipërinë, Maqedoninë, kufij tokësore, i cili shpesh në disa vende të caktuara është shumë lehtë i kaluar edhe me makina të ndryshme, përveç rrugëve të rregullta dhe të asfaltuara”, bën të ditur Stavileci.

Edhe zyrtarë të Ministrisë se Financave, për Radion Evropa e Lirë, më herët kanë deklaruar se matja e saktë e pranisë së nivelit të ekonomisë joligjore nuk është aspak e lehtë, jo vetëm për Kosovën por pothuajse për asnjë vend,veçanërisht për vendet në zhvillim sikurse që është Kosova.

Ministria e Financave së bashku edhe me institucionet tjera është angazhuar në “Programin Qeveritar për Parandalimin e Ekonomisë Joformale”.
XS
SM
MD
LG