Ndërlidhjet

Haradinaj ruan ‘paqen’ brenda koalicionit


Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj

Aleanca Kosova e Re, e cila është partnere në koalicionin qeverisës, ka bërë të ditur se Flamur Sefaj, nga radhët e kësaj partie, ka dhënë dorëheqje nga detyra e ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.

Dorëheqja e Sefajt vjen pas lirimit të tij nga detyra nga ana e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, pas operacionit për arrestimin dhe deportimin e gjashtë shtetasve turq nga autoritetet e Kosovës, për të cilin operacion, kryeministri i Kosovës, ka thënë se nuk ka qenë i informuar.

Lirimi nga detyra i Sefajt me vendim të kryeministrit Haradinaj, e kishte vënë Qeverinë e Kosovës përballë sfidës për të tejkaluar problemet eventuale me partneren e koalicionit qeverisës, Aleancën Kosova e Re.

Kjo e fundit, gjatë ditës së marte kishte dhënë sinjale pozitive se pjesëmarrja e saj në koalicionin qeverisës do të ruhet.

Vesel Makolli, zëvendësministër në Qeverinë e Kosovës nga radhët e Aleancës Kosova e Re, i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, njëherësh lider i AKR-së, ka biseduar me kryeministrin Haradinaj, për të ardhur deri te një vendim i cili do ta sqarojë të ardhmen e qeverisjes.

“Ne jemi parti liberale demokratike institucionale. Ne jemi parti, e cila e ka sakrifikuar edhe interesin e vet për ta formuar këtë qeveri. Prandaj, edhe tash do të shikojmë që të dalim nga kjo situatë, në të cilën nuk është dashur të vijmë, thënë të drejtën, sepse bëhet fjalë për një ministër i cili ka qenë ndër më të mirët dhe ka qenë i përkushtuar për punën. Do t’i shikojmë të gjitha mundësitë dhe kjo ka shkuar në nivel të kryeministrit dhe zëvendëskryeministrit, gjegjësisht presidentit të partisë Behgjet Pacolli, të cilët sigurisht që do ta gjejnë një zgjidhje e cila do t’i kënaqë të dy palët”, tha Makolli.

Në anën tjetër, vendimi i kryeministrit Haradinaj, po ashtu për ta liruar nga detyra kreun e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Driton Gashi, ende nuk ka marrë një pajtim nga presidenti i vendit Hashim Thaçi.

Të premten e kaluar, gjatë një fjalimi para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, kryeministri Haradinaj tha se lirimi nga detyra i drejtorit të AKI-së, Driton Gashit dhe i ministrit të Brendshëm, Flamur Sefaj, janë vendime të pakthyeshme.

Por presidenti Hashim Thaçi, i cili ka kompetenca të barabarta në emërimin dhe shkarkimin e shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, është paraqitur më i rezervuar lidhur me këtë vendim.

Nga zyra e presidentit Thaçi nuk kanë dashur të konfirmojnë e as komentojnë nëse kreu i shtetit pajtohet me vendimin e Haradinajt për lirimin, përkatësisht shkarkimin nga detyra të shefit të AKI-së.

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Artan Muhaxhiri, vlerëson se mosmbështetja e deritashme nga ana e presidentit Thaçi për vendimin e kryeministrit Haradinaj lidhur me lirimin nga detyra e kreut të AKI-së, shpjegon raportet ndërmjet dy pushteteve.

“Nëse Thaçi nuk e shkarkon shefin e AKI-së, atëherë ai do të marrë mbi vete të gjitha mëkatet e kësaj ngjarjeje. Pra, do të dëshmohet si personi, i cili e ka iniciuar dhe e ka realizuar këtë akt të turpshëm”, u shpreh Muhaxhiri.

Megjithatë, sipas tij, në rast se presidenti Thaçi nuk e miraton lirimin nga detyra të kreut të AKI-së, kjo do të jetë goditje edhe për Qeverinë e Kosovës.

“Kjo do të jetë një goditje e madhe ndaj tij (kryeministrit Haradinaj) dhe ndaj kabinetit të tij qeveritar, sepse kryeministri do të duhet të funksionojë edhe më tutje me një person, i cili ka pozitë jashtëzakonisht të rëndësishme, të cilit nuk i beson dhe e ka shkarkuar ‘de jure’, por jo edhe ‘de facto’. Pra, do të kemi një çrregullim në zinxhirin e marrëdhënieve ndërmjet Qeverisë dhe AKI-së dhe kjo do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme edhe për sigurinë e qytetarëve të Kosovës dhe të Kosovës në përgjithësi”, theksoi Muhaxhiri.

Ndryshe, vendimin e kryeministrit Hradinaj për shkarkimin e ministrit të brendshëm dhe kreut të AKI-së e ka përkrahur publikisht kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i cili po të premten deklaroi se shkarkimi ishte i pritshëm pas zhvillimeve të ditës së enjte, kur qytetarët turq me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë, ishin deportuar pa dijeninë e krerëve më të lartë të shtetit.

XS
SM
MD
LG