Ndërlidhjet

Indonezia do t'i kompensojë familjet e viktimave të tërmetit


Pasoja e tërmetit në ishullin Java të Indonezisë. 21 nëntor 2022.
Pasoja e tërmetit në ishullin Java të Indonezisë. 21 nëntor 2022.

Qeveria e Indonezisë do t'i kompensojë familjet e personave që u vranë në tërmetin e 21 nëntorit. Deri më tash së paku 265 persona kanë vdekur nga tërmeti prej 5.6 shkallësh.

Presidenti indonezian, Joko Widodo, vizitoi epiqendrën e tërmetit në perëndim të ishullit Java, më 22 nëntor, dhe urdhëroi punonjësit e shpëtimit që të vazhdojnë punën për të shpëtuar njerëzit e bllokuar.

“Rrugët që ishin të varrosura dje janë rihapur sot, falë Zotit”, tha Widodo. “Kjo do të ndiqet nga puna e shpejtë e ekipeve të shpëtimit për t’i ndihmuar ata që mund të jenë nën rrënoja ende”.

Presidenti indonezian tha se qeveria do t’i ndante deri në 6.300 dollarë për banorët të cilëve u janë dëmtuar shtëpitë.

“Gjëja më e rëndësishme është që ndërtimi i shtëpive t’i ndjekë standardet për t’u bërë ballë tërmeteve, që janë caktuar nga Ministria e Punëve Publike”, shtoi ai.

Nga tërmeti i fuqishëm që goditi ishullin e Indonezisë, janë lënduar edhe qindra persona të tjerë.

Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së tha se tërmeti prej 5.6 shkallësh kishte epiqendër rajonin Cianjur në perëndim të ishullit Java.

Të martën, zyrtarë shtetërore bënë të ditur se në mesin e viktimave ka edhe shumë fëmijë që mbetën të vdekur pas shembjes së shkollave.

Zyrtarët kanë paralajmëruar që numri i viktimave ka gjasa të rritet.

Ky tërmet goditi malet në provincën më të populluar të Indonezisë në pjesën perëndimore të Javas, ndërsa të paktën një fshat u mbulua nga rrëshqitjet e dheut.

Rrëshqitjet e dheut dhe terreni i vështirë ua vështirësuan punën ekipeve të shpëtimit, tha Henri Alfiandi, kryesues i Agjencisë Kombëtare për Kërkim dhe Shpëtim.

Indonezia ishte goditur nga tërmeti edhe në vitin 2021.

Ndërsa në vitin 2018, ky vend përveç tërmetit u godit edhe nga cunami, ku mbetën të vdekur mbi 220 persona.

Cunami i vitit 2004, i shkaktuar nga një tërmet pranë ishullit indonezian të Sumatrës, vrau 226.000 njerëz në gjithë Oqeanin Indian, përfshirë mbi 120.000 në Indonezi.

Indonezia, një arkipelag me 260 milionë njerëz, goditet shpesh nga tërmetet, shpërthimet vullkanike dhe cunamit, për shkak të vendndodhjes së saj në Unazën e Zjarrit, që është një hark vullkanesh dhe pllakash tektonike në Pellgun e Paqësorit.

XS
SM
MD
LG