Ndërlidhjet

Kërcënimet e deputetëve, ndërhyrje në punën e prokurorisë


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Deklaratat publike të dy deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilat përmbajnë porosi kërcënuese për prokurorë të caktuar, janë ndërhyrje në punë e prokurorisë dhe vetë sistemit të drejtësisë, vlerësojnë zyrtarë të Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe njohës të çështjeve juridike.

Deputeti Milaim Zeka nga partia Nisma Socialdemokrate, është ndaluar nga Policia e Kosovës dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë, për kanosje përmes mjeteve të informimit, ndaj prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Afrim Shefkiu. Ditë më parë edhe deputeti Shkumbin Demaliaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kishte përdorur gjuhë të ashpër ish-prokurorit Elez Blakaj, i cili kishte hetuar çështjen e “Listës së veteranëve”.

Prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me mediat nga Prokuroria Speciale e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se deklaratat e tilla të këtyre deputetëve, konsiderohen si ndërhyrje dhe pengim i punës së prokurorisë.

“Sigurisht që nuk është mirë të ndërhyjë askush në punën e prokurorisë, pasi që është një organ i pavarur në punën e tij. Të gjitha këto do të sqarohen më vonë, nëse është bërë ndonjë lëshim. Mirëpo, çdo deklarim lidhur me këtë, konsiderohet si ndërhyrje dhe si pengim në punën e pavarur të prokurorisë”, tha Hoxha.

Por, Betim Musliu, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se tonet kërcënuese nga të zgjedhurit e popullit ndaj prokurorëve të caktuar, e sidomos ato që ndërlidhen me rastin e “Listës së veteranëve”, janë dëshmi për tentimet që të ndërhyhet në sistemin e drejtësisë.

“Këto kërcënime publike nuk mund ta lënë të qetë sistemin e drejtësisë dhe kjo thjeshtë përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në punën e tyre. Në fakt, ky është mesazhi më i keq që mund të vjen nga ata që janë të zgjedhur të popullit dhe që janë miratues të këtyre ligjeve që duhet t’i zbatojnë vetë prokurorët. Fakti që disa deputetë e marrin në dorë drejtësinë, duke kërcënuar se vetë do t’i qërojnë hesapet me prokurorë të caktuar, do të thotë që ata nuk e vlerësojnë dhe nuk e konsiderojnë të pavarur sistemin e drejtësisë, por që drejtësinë tentojnë ta bëjnë vet”, tha Musliu.

Ai ka shtuar që kërcënimet që shkojnë jo rrallë në adresë të prokurorëve dhe gjyqtarëve në Kosovë, shpjegojnë, sipas tij, mënyrën se si është i politizuar sistemi i drejtësisë, duke e bërë këtë sistem tejet të brishtë.

“Përfundimisht, dëshmojnë që sistemi i drejtësisë është i varur në tërësi dhe është pa integritet për t’iu përgjigjur si duhet të gjitha këtyre kërcënimeve. Në fakt, vetë mënyra se si disa deputetë kanë kërcënuar, ndërsa vetëm në mënyrë selektive janë zbatuar dispozitat ligjore ndaj tyre - ku njëri prej deputetëve është arrestuar për shkak të kërcënimeve, ndërkaq një tjetër, i cili ka kërcënuar po ashtu publikisht, nuk është prekur fare - dëshmon për drejtësinë selektive, të cilën e bëjnë prokurorët në Kosovë, për shkak të ndikimeve politike”, u shpreh Musliu.

Sidoqoftë, deri më tash grupe të caktuara të veteranëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kërcënuar prokurorinë me protesta të dhunshme në rast se nuk heq dorë nga aktakuza, e cila i ka gjetur mbi 20 mijë persona të dyshuar si përfitues të paligjshëm nga statusi i veteranit të UÇK-së. Së fundmi, një ultimatum, për të hequr dorë nga aktakuza brenda 10 ditësh, i është lënë prokurorisë nga veteranët e rajonit të Dukagjinit.

Madje edhe deklaratat e disa prej liderëve të institucioneve të larta të vendit, janë konsideruar si ndërhyrje në punën e prokurorisë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG