Ndërlidhjet

Ademi: Unë e shoh Kosovën në "Euro 2020"


Intervistë me kryetarin e FFK-së
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:08:39 0:00

Kryetari i Federatës se Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kombëtarja e Kosovës po punon fort që të kualifikohet në “Euro 2020”. Kurse sa i takon ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës ai beson se ekipi i Kosovës do të kthehemi nga Çekia me rezultat të mirë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, po e fillojmë këtë bisedë me një parashikim tuajin për ndeshjen ndërmjet Republikës Çeke dhe Kosovës. Cilat janë parashikimet tuaj për këtë ndeshje?

Agim Ademi: Tani në futboll është vështirë të japësh një rezultat apo të parashikosh diçka, sepse vetë futbolli është i paparashikueshëm, dhe për ne që kemi luajtur futboll ndoshta është joprofesionale të japim ndonjë rezultat. Nuk është se jam entuziast, por po mundohem të jem realist për faktin që jemi në situatë dhe fazë çfarë jemi, fillimisht jemi në fazë të mirë dhe jemi në trendin e mirë të rezultateve dhe të formës së futbollistëve gjë që po e tregojnë edhe nëpër ekipet e veta shumica e futbollistëve ose futbollistët kyç që i kemi në ekipin kombëtar dhe normalisht që kemi ardhur në pozitën e pikëve që kemi dhe kjo ndeshje është e rëndësishme për të dyja palët, si për çekët, ashtu edhe për ne.

Mund të them që e di që mund të favorizohen çekët për faktin se dimë që janë një ekip nacional edhe i njohur edhe shumë më i organizuar më herët në UEFA dhe FIFA sesa ne, më shumë kompeticione ka marrë pjesë në gara, por fakti është se ne po luajmë shumë mirë dhe sidomos në lojërat që i luajmë jashtë stadiumit të Prishtinës, deri tash kemi pasur shumë më shumë rezultate dhe po e luajmë lojë shumë të mirë. Shpresoj që këtë trend ta vazhdojmë dhe ne. Normalisht, që shkojmë për fitore dhe unë u besoj këtyre djemve, i besoj punës, sepse nuk po e them që me lutje, se jo gjithherë kryhen punët me lutje dhe dëshirë, por edhe me punë. Ia kemi bërë punën, ia kemi bërë të gjitha parapërgatitjet edhe organizimin po ashtu edhe ekipi dhe forma e tyre, dhe besoj se do të kthehemi me rezultat të mirë nga Çekia.

*Video nga arkivi: Ëndrra Euro 2020

Ëndrra Euro 2020
Ju lutem të prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:54 0:00

Radio Evropa e Lirë: Federata e Futbollit të Çekisë ka thënë se ka ngritur kapacitetet e sigurisë për ndeshjen Çeki - Kosovë. Si i keni parë ju punët rreth organizimit të kësaj ndeshje?

Agim Ademi: Unë më shumë e shoh që vërtet e kanë ngritur nivelin e sigurisë në nivelin më të lartë dhe unë pak e shoh këtë nga ata ndoshta si presion psikik jo vetëm për ne, por për të gjithë. Kjo për faktin që edhe për ta është një lloj presioni, sepse nuk besoj se mund të ndodhë ndonjë gjë, thjesht ne jemi të liruar prej atij kompleksi, ne shkojmë për të luajtur futboll dhe çfarëdo që ndodh rreth futbollit, nuk na vjen mirë, por nuk është se neve na luhat aq shumë apo ndikon në ne. Ne një qëllim e kemi, të shkojmë të luajmë atje futboll dhe të prezantohemi siç është më së miri dhe normalisht të kemi një rezultat të mirë, por ata e kanë frikën sepse ta organizosh një ndeshje të aspektit ndërkombëtar, është goxha e vështirë dhe nëse ka paralajmërime të tilla se mund të ketë ndonjë diçka që është pengesë për një ndeshje, mund të vijë deri te ndërprerja e ndeshjes që sanksionohet. Ose nëse nuk vjen deri te ndërprerja mund të sanksionohet shumë keq Republika Çeke dhe Federate e Çekisë.

Prandaj, nuk besoj se është vetëm për shqiptarët që e bëjnë atë, sepse shpesh po i dëgjoj që po e bëjnë për ne. Nuk është ndoshta që e bëjnë për neve, por është ndeshje e rëndësisë së veçantë, ngritja e nivelit të sigurisë është në më të lartin dhe normalisht që këto parapërgatitje do të bëhen. Pak jam i zhgënjyer te ta për punën e biletave. Nuk na kanë dhënë shumë mundësi për bileta përveç atyre që na takojnë me ligj.

Ato i kemi paguar dhe i kemi marrë, ato të tifozëve që janë, mirëpo i kanë ndaluar shumë njerëz që kanë shtetësi evropiane që deri sot nuk ka ndodhur kushdo që është me shtetësi evropiane të Unionit Evropian kanë pasur mundësi të blejnë bileta.

Ata e kanë ndërruar edhe stadiumin, në Pelzen na kanë çuar - është një stadium pak më i vogël, është pjesa thjesht ku nuk është se vetëm për ne e kanë bërë, se është si stadiumi alternativ që i bën ndeshjet, por unë mendoj se kur ka interesim kaq të madh, meqë futbolli luhet për publik, është dashur t’i jepet mundësi gjithë publikut, gjithë njerëzve në stadiumin e tyre më të madh që e kanë në Pragë.

Radio Evropa e Lirë: Prisni kualifikimin e Kosovës në “Euro 2020”?

Agim Ademi: Gjithsesi, kemi punuar për këtë, po punojmë me gjithë Komitetin Ekzekutivi dhe të gjitha hallkat e zinxhirit të federatës. Po ashtu, synimi tashmë dihet, sepse në një garë synon kualifikimin ose nivelin më të lartë. Unë e shoh Kosovën në Evropian sivjet, në këtë kompeticion dhe besoj se në ketë kompeticion në Kampionatin Evropian, edhe pse e kemi mundësinë tjetër në Ligën e Kombeve, por unë e shoh Kosovën, gjithsesi në njërën apo tjetrën, të kualifikuar.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Ademi, cilat janë aktualisht kapacitetet e Kosovës në garat ndërkombëtare?

Agim Ademi: Nuk është vetëm niveli i A-së, por Kosova ka arritur dhe është duke arritur rezultate, është duke u ngritur në nivelin organizativ të saj dhe kemi edhe dokumente të UEFA-s, rreth organizimit dhe zhvillimit, ku jemi të vlerësuar në vendin e katërt në Evropë, e që nuk do të thotë pak për këtë kohë. Kur them kështu, jemi të organizuar shumë mirë, me shumë kapacitet, kemi dhe shumë njerëz, kemi futbollistë jashtë dhe brenda, të gjitha niveleve, të të gjitha kategorive, e sidomos kategoritë e reja - shoh se është një e ardhme jashtëzakonisht e mirë.

*Video nga arkivi: Infrastruktura sportive e klubeve kosovare

Infrastruktura sportive e klubeve kosovare
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:06 0:00

Në kuadër të kësaj, ne po bëjmë strategjinë e futbollit që t'ju mundësojmë këtyre talentëve që të zhvillohen sa më shumë edhe në Kosovë, por sigurisht që jashtë janë duke u zhvilluar, sepse janë nëpër vende të mira dhe shoh një të ardhme shumë të mirë të Kosovës dhe sidomos në aspektin e futbollit. Realisht mund të them që do t'i tejkalojë pritshmëritë e shumë ekspertëve, natyrisht edhe tonat.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te kjo çështje, të talentet e shumtë që janë duke luajtur në shtete të ndryshme, çfarë ju ofroni ju atyre që të përfshihen në Kombëtaren e Kosovës?

Agim Ademi: Në fakt, nëse më lejohet pak të zgjerohem në këtë temë, unë do të thosha se kjo është një ndjenjë e tyre dhe këtë meritë ua lë prindërve të tyre, sepse ju e dini represionin që ka qenë të kosovarët dhe prindërit e tyre kanë ikur të gjithë po thuajse që e kanë lëshuar Kosovën, kanë ikur nga një represion jashtëzakonisht i tmerrshëm dhe me sakrificën më të madhe të mundshme, kanë ikur në Evropë dhe kur kanë arritur në Evropë, atje, në vend se ta sistemojnë veten, dhe para se ta sistemojnë veten, ka ndodhur që pjesa tjetër e familjes është dëbuar nga puna, siç dihet, dhe atyre përveç obligimit të sistemimit të vetes, iu ka shtuar edhe një obligim shtesë në solidaritetin që ne e kemi, për t'i mbajtur familjet tona këtu . Dhe, duke pasur parasysh këtë sakrificë që e kanë bërë, tash kanë arritur t’i rrisin fëmijët e tyre me ndjenjën patriotike që nuk kanë mundur t'ia japin atdheut ata dhe normalisht fëmijët e tyre po na bëjnë krenarë. Kjo është kënaqësia më e madhe. Ky është afrimi më i madh që mund t'ia bëjmë ne, thjeshtë që ta prezantojnë atdheun e baballarëve të tyre dhe aty ku i kanë rrënjët. Kjo është më e madhja.

Radio Evropa e Lirë: Ndërsa, po flasim për talentë të Kosovës në klube të ndryshme evropiane, çfarë po bëhet në Kosovë për ngritjen e kapaciteteve të futbollit në harmoni me standardet e UEFA dhe FIFA?

Agim Ademi: Në fakt ne e kemi bërë një strategji të cilën po e realizojmë dhe jemi duke ecur me standardet e UEFA –s. Kur them kështu, fillimisht kemi marrë masa, kemi bërë edukimin e trajnerëve, referëve, edukime të pafundme organizative. Po ashtu edukime në organet e klubeve, sekretarët, menaxherët e klubeve. Kemi hyrë në sistemin digjitalizimit. Dhe çka është më e rëndësishme, shumë qytetarë të Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të Evropës dhe botës, por edhe ata që punojnë në vendin tonë, po investojnë jashtëzakonisht shumë në futboll.

Natyrisht duke pasur parasysh zhvillimin dhe edukimin e trajnerëve, kanë ardhur shumë trajnerë të licencuar, po ashtu edhe nëpër shkolla nuk lejohet që të ketë trajnerë të palicencuar, që nga baza e parë që merret në futbollin bazik. Në futbollin bazik që e quajmë ne, jemi të lidhur shumë ngushtë me UEFA-n. Po, bëjmë të pamundurën, tashmë kanë arritur rezultatet e para të dukshme, ku një ekip nga këto organizime U15, në një turnir të UEFA-s që është mbajtur në Shqipëri, ku kanë marrë pjesë tetë shtete të Ballkanit dhe Evropës, ky grup 15 vjeç ka zënë vendin e parë. Dhe dukshëm më të mirë janë treguar në lojën e futbollit, jo vetëm në rezultate.

Kështu gjithçka po bëhet që sa më shpejtë dhe sa më mirë të organizohemi bashkë me klubet që të ngritët niveli dhe cilësia e futbollit. Kështu që talent ka dhe falë qytetarëve që po investojnë në futboll, ngritja ekonomike sigurisht që ndikon edhe në rritjen e cilësisë, sepse futbollistit i mundësohet të ketë një pagë më të mirë dhe të ketë punë primare futbollin, që deri më tani nuk ka ndodhur në Kosovë, sepse futbollisti është dashur të ketë edhe një punë tjetër. Dhe nëse lojtari punon edhe një punë tjetër dhe shkon në stërvitje dhe lojë nuk mund të pritet qind për qindëshi. Ndërsa tash futbollistët e japin qind për qindëshin falë investimeve që bëhen dhe ne jemi një hap përpara për organizimin dhe tërheqjen e klubeve në organizime sa më të mira dhe sa më afër vendeve të Evropës.

Radio Evropa e Lirë: Nëse mund të ndalemi tek infrastruktura. Çfarë mund të bëhet me investimet aktuale që terrenet e futbollit në Kosovë të jenë të standardeve të UEFA-s?

Agim Ademi: Ne UEFA na ka ndihmuar dhe na ndihmon gjithmonësepse kemi qenë mbrapa dhe jemi ende mbrapa në infrastrukturë, por kemi hasur në mirëkuptim edhe në komunat dhe me ministrinë. Ju e dini se i kemi përfunduar gjatë fusha stërvitore përveç dy stadiumeve që është dashur t'i kemi, gjithsesi për të zhvilluar ndeshje ndërkombëtare për faktin që ju e dini në mungesë të një stadium kemi zhvilluar ndeshje në Shkodër.

Tani është stadiumi "Fadil Vokrri" në Prishtinë kategoria katër dhe është stadiumi në Mitrovicë "Adem Jashari" i cili është kategoria e dytë. Tash po behët kategoria katër dhe ju e dini që është shpallur tenderi dhe është bërë projekti për stadiumin nacional për ndeshje nacionale.

Ndërsa, në aspektin e ndeshjeve lokale të ligës sonë, ne kemi bërë gjatë stadiume të cilat janë të parapara me 12 ekipet të Super Ligës që ta kenë edhe nga një stadium stërvitor të nivelit sintetik, për faktin se këtu kemi temperatura dhe stinë të ndryshme dhe është shumë e nevojshme. Gjashtë i kemi të përfunduara të nivelit më të mirë të mundshëm teknologjia e fundit e barti. Janë duke u punuar shumë mirë dhe pastaj kemi edhe gjashtë të tjera në proceduar të cilat janë në fillim e sipër.

Unë tash jam në komisioni hetrik pranë UEFA-s, atje jam zgjedhur dhe ky hetrik i ndan të gjitha mjetet e UEFA-s për infrastrukturë. Unë e kam bërë një projekt për mandatin tim katërvjeçar që të behën 100 fusha sintetike në Kosovë. Ato 100 fusha veç do të fillojnë dhe sigurisht që do të kemi edhe mirëkuptimin e komunave. Cila komunë e bën bazën, pra e gjenë tokën edhe e bën bazën për atë klub, ne do ta sigurojmë barin.

Sigurisht në këtë projekt do të futet edhe ministria e Sportit, pra do punojmë në të gjitha komunat, aty ku ka nevojë. Unë garantoj këtu se shumë shpejt gjatë këtij mandati nuk do të mungojë më baza e parë materiale siç është stadiumi, topi apo një fanellë që fëmijët që të mos mund të zhvillojë talentin e tij, pikërisht për këto gjëra elementare.

Radio Evropa e Lirë: Para pak kohësh kishte një përpjekje të Federatës së Serbisë që të organizonte një ndeshje zyrtare futbolli në Kosovë. Por, kjo u pengua. A është sqaruar çështja e organizimit të ndeshjeve në Kosovë edhe me organet e UEFA-s?

Agim Ademi: Kjo është e sqaruar në organet e UEFA-s, që në një territor apo në një shtet, të drejtën e organizimit të garave e ka vetëm Federata e Futbollit, e cila është e licencuar në UEFA dhe FIFA. Në Kosovë jemi ne Federatë e Futbollit të Kosovës dhe unë këtu i falënderoj organet tona të policisë, të cilat i kanë ndaluar, sepse tentimi ka qenë (të futen lojtarët)... do të thotë këtë më shumë e shoh si vendim politik sesa si vendim sportiv dhe natyrisht që është penguar dhe do të pengohen edhe më tej. Të gjitha klubet që janë të nacionaliteteve të tjera mund të marrin pjesë në ligat tona. Garat organizohen këtu dhe këtë e di edhe Serbia dhe Federata Serbe se nuk lejohet dhe nuk do të lejohet sigurisht as me rregullat e UEFA-s e as me ligjin e shtetit tonë, që një shtet tjetër të organizojë gara.

XS
SM
MD
LG