Ndërlidhjet

Stevo Pendarovski, kandidat i partive në pushtet për president


Stevo Pendarovski, kandidati për president i partive në pushtet, LSDM dhe BDI.
Stevo Pendarovski, kandidati për president i partive në pushtet, LSDM dhe BDI.

Partitë e koalicionit qeverisës kanë nominuar Stevo Pendarovskin si kandidat për president të Maqedonisë së Veriut, për zgjedhjet e parapara të mbahen më 21 prill.

Vendimi është marrë nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) pas një debati katër orësh për zgjedhjen e kandidatit më serioz, ndërsa propozimi më pas është mbështetur edhe nga partitë e koalicionit qeverisës, të cilat po ashtu janë për gjetjen e një kandidati të përbashkët për president.

“U bashkuam të gjithë së bashku, maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, romë e të tjerë. Stevo Pendarovski është kandidat mbipartiak për president të Maqedonisë së Veriut. Besoj se edhe ne si parti politike do të dëshmojmë se ekzistojmë e punojnë për qytetarët, për shtetin, për të ardhmen. Pendarovski është person, i cili do t’i bashkojë të gjitha bashkësitë etnike, njeri i cili beson në politikën e integrimit, politikën tonë ‘një shoqëri për të gjithë’, njeri që besoj se do të përmbush ashtu siç duhet funksionin e presidentit të Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, gjatë një konference të përbashkët me liderët e të gjitha partive që janë pjesë e Qeverisë.

Stevo Pendarovski, aktualisht, ushtron funksionin e koordinatorit nacional për NATO-n. Ai ishte kandidat për president edhe në zgjedhjet e vitit 2014, por atëherë nuk pati mbështetjen të gjerë, në veçanti nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), që bojkotoi zgjedhjet me arsyetimin se Pendarovski nuk plotësonte kushtet për të qenë kandidat konsensual. Tani për BDI-në, Pendarovski është kandidat mbipartiak, i pranueshëm për presidenti të vendit.

“Janë bërë anketa të shumta dhe sigurisht që zoti Pendarovski ka marr mbështetjen më të madhe nga elektorati shqiptar”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Në garë ishin edhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Sheqerinska, ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski si dhe personalitet tjera.

Nga ana tjetër, opozita shqiptare në zgjedhje do të garojë me Blerim Rekën, profesor universitar dhe ish-ambasador i Maqedonisë së Veriut në NATO.

Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa, me mbështetjen e kandidaturës së profesorit Reka, përfundimisht kanë refuzuar kërkesën e kryeministrit Zoran Zaev, që edhe këto dy parti ta mbështesin kandidatin e përbashkët të partive në pushtet.

“Kandidatura e Blerim Rekës është serioze për president të Maqedonisë së Veriut. Do të jetë ai i cili denjësisht do t’i përfaqësojë të gjithë qytetarët e vendit. Prandaj them që Blerim Reka e pasuron garën, ka çfarë i jep garës, ka çfarë i shton debatit për president dhe zgjedhjeve presidenciale".

"Do të ishte zgjidhje e mirë për vetë faktin se kjo do të ishte forma më e mirë e përfaqësimit të të gjithë qytetarëve nga një kandidat, i cili e di se nga duhet të lëvizë dhe cilat duhet të jetë rruga që duhet të ndjekë Republika e Maqedonisë së Veriut”, ka deklaruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela.

VMRO DPMNE-ja opozitare në zgjedhjet presidenciale do të garojë me profesoreshën Gordana Siljanovska, e cila tani edhe ka filluar fushatën, edhe pse zyrtarisht ajo nis në fillim të muajit prill dhe zgjat 20 ditë.

Nëse asnjëri nga kandidatët nuk fiton shumicën e votave më 21 prill, atëherë shkohet në rrethin e dytë që do të mbahet më 5 maj.

Që zgjedhjet të jenë të vlefshme, duhet të dalin në votime më shumë se 40 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

XS
SM
MD
LG