Viti 2025 ka qenë vit zgjedhjesh për Kosovën, por kjo nuk i ka ndalur gazetarët e Radios Evropa e Lirë (REL) që të raportojnë edhe për problematika tjera, të cilat e kemi vlerësuar se duhet të marrin vëmendje më të madhe.
Faleminderit që na besoni, i lexoni materialet tona dhe jeni me ne çdo ditë!
Më poshtë i kemi përmbledhur disa prej materialeve që na bëjnë krenarë. I kemi përfshirë edhe materialet që janë shpërblyer për gazetari të mirë.
1. Propaganda ruse gjatë zgjedhjeve në Kosovë
Siç e përmendëm edhe pak më lart, vota e shtetasve të Kosovës u kërkua në katër procese zgjedhore - së pari më 9 shkurt për zgjedhjet e rregullta parlamentare, në tetor dhe nëntor për zgjedhjet lokale dhe sërish më 28 dhjetor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Dy palë zgjedhjet e para, ato të 9 shkurtit dhe dy rundet e balotazhit ishin cak i propagandës ruse.
Për artikujt që kishin të bënin me propagandën ruse gjatë cikleve zgjedhore: “Si shpërndanë mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë” dhe Propaganda ruse para zgjedhjeve dhe ndikimi te serbët në Kosovë”, gazetarja Sandra Cvetkoviq fitoi vendin e dytë për verifikim të fakteve, nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, BIRN Kosova dhe Internews Kosova, në kuadër të projektit MIDWatch, të mbështetur nga Ambasada britanike në Kosovë.
Artikulli i parë ka analizuar përmbajtjen e publikuar nga mediat shtetërore ruse, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, gjatë fushatës parazgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, ku këto media manipuluan fakte, duke aluduar se autoritetet e Kosovës synonin frikësimin e serbëve në Kosovë para zgjedhjeve. Edhe për zgjedhjet lokale që pasuan, sipas analizës së artikujve, këto dy media vazhduan të përhapnin narrativen e njëjtë, duke e paraqitur Listën Serbe si “mbrojtëse të interesave” të komunitetit serb, ndërkaq autoritetet kosovare si ushtruese të presionit ose “terrorit” ndaj serbëve.
Në këtë artikull është analizuar se si mediat kanë manipuluar me shkrime të ndryshme, sikurse një që mbante titullin “Prishtina llogarit gabimisht – as koktej molotovi nuk do t’i trembin serbët” të publikuar më 28 janar në Sputnik Serbia, ku aludohej se autoritetet e Kosovës dëshironin t’i frikësonin serbët në Kosovë me koktej molotivi para zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Edhe për zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, mediat ruse dhe kanalet në Telegram kanë vazhduar të shtyjnë përpara narrativë të ngjashëm, me ekspertët që kanë paralajmëruar se inteligjenca artificiale po përdoret për të përhapur këto lloj materialesh. Për më shumë mund të lexoni KËTU.
2. Nga bombat e ’99-ës te sfidat e diplomacisë: A mban Kosova pa SHBA-në?
Këtë vit, raportet me Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara pësuan goditje, pasi Uashingtoni në shtator pezulloi Dialogun e planifikuar Strategjik, për shkak të veprimeve të Qeverisë së udhëhequr nga Albin Kurti.
Një nga episodet e programit Expose trajtoi pikërisht këtë çështje. Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha se ky pezullim ishte rezultat i frustrimeve të grumbulluara ndaj Qeverisë së Albin Kurtit gjatë dy vjetëve të fundit.
Frustrimet nisën për shkak të disa masave që u perceptuan si të pakoordinuara dhe në dëm të komunitetit serb - si heqja nga përdorimi e dinarit apo mbyllja e disa institucioneve të Serbisë - dhe kulmuan me kritikat e ashpra që Kurti i bëri Gjykatës Kushtetuese për disa aktgjykime të saj.
Vetë Kurti e pranoi se me SHBA-në kishte “dallime”, por shtoi se Kosova nuk është prishur me Amerikën.
Ndërkaq, Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, pohoi se mbështetja e SHBA-së për Kosovën është “thelbësore në shumë drejtime”, por sipas tij, “më e rëndësishmja lidhet me praninë e ushtarëve amerikanë në terren. Kosova do të dëshirojë t’i mbajë ata aty. Dhe, unë mendoj se duhet të mbeten aty”, u shpreh ai.
Të gjitha episodet e programit "Expose" i gjeni KËTU.
3. Sërish probleme me rrymën: Pse nuk po stabilizohet situata në Kosovë?
Gjatë këtij viti, të abonuarit në newsletter-in e Radios Evropa e Lirë, Në 3 minuta, kanë pranuar çdo të enjte në email-in e tyre një artikull shpjegues për temën kryesore të javës.
Për këtë përmbledhje kemi përzgjedhur edicionin e fundit për këtë vit, në të cilin shtjellohet problemi me energji elektrike me të cilin po përballen qytetarët e Kosovës.
Kosova ka dy termocentrale të vjetra që bartin barrën e furnizimit të mbi 1.5 milion banorëve të vendit. Ekzekutivi ka thënë se për rehabilitimin e tyre ka ndarë miliona.
Por, ish-ministri i Energjisë i Kosovës, Ethem Çeku, i tha Radios Evropa e Lirë se thelbi i krizës qëndron te mungesa e investimeve kapitale në sektorin e energjisë, dhe te pamundësia për të tërhequr investitorë të mëdhenj, prandaj çmimi i rrymës do të rritet vazhdimisht.
“Investimet janë arna-arna. Nuk kanë mundur ta mbajnë prodhimin blloqet e Kosovës A dhe B, nuk është hapur tregu për investime private në energjinë diellore dhe të erës. Janë investime minimale”.
Të gjithë artikujt e newsletterit "Në 3 Minuta" i gjeni KËTU.
4. Perimet vendore shkojnë jashtë, tregu mbushet me import
Prej temave në sektorin e bujqësisë e kemi përzgjedhur atë që ka në qendër rrëfimin e bujkut Erbril Mazreku, 32-vjeçar nga komuna e Mamushës, në rajonin e Prizrenit, i cili ka të mbjellë rreth 2.5 hektarë tokë me domate në serrë, për t’i eksportuar jashtë vendit.
“Domatet në treg vendor nuk i shes. Çmimi është më i lirë, kurse jashtë i shes më shpejtë dhe me shtrenjtë. Të freskëta i dërgoj në një pikë grumbulluese këtu në Mamushë dhe ai i eksporton jashtë vendit. Çmimi sivjet është i mirë, 60 cent për kilogram, kurse në tregun vendor shkon më lirë”, i tha Mazreku Radios Evropa e Lirë.
Ky artikull i gazetares Nadije Ahmeti u shpërblye me çmimin për agro-gazetari që u nda nga Caritas-i zviceran.
Videoja më e mirë, ndërkaq, nga Caritas u përzgjodh “Në 4 ari tokë, Shqipja rindërton jetën e saj”, nga kameramani Ibrahim Berisha dhe ish-bursistja e REL-it, Erza Elezaj.
Kjo video, të cilën mund ta shihni KËTU, sjell rrëfimin e Shqipe Gashit nga Kishnica e Prishtinës, e cila e rindërtoi jetën e vet nga dhembja, përmes punimit të tokës.
5. Manipulimet me inteligjencë artificiale: Si po ndikohen mendimet tona
Në dhjetor, Radio Evropa e Lirë ka lansuar një podkast të ri, të titulluar "5 pyetje", që synon të sqarojë një temë me ndihmën e ekspertëve dhe profesionistëve.
Në njërin nga episodet e podkasit ishte e ftuar ishte Hyrije Mehmeti nga platforma për verifikimin e fakteve Hibrid. Me të u diskutua çështja e manipulimeve me inteligjencë artificiale dhe u treguan se cilat janë format më të shpeshta të manipulimit me inteligjencë artificiale dhe si të mbrohemi nga dezinformatat në internet.
Të gjitha episodet e podkastit "5 pyetje" i gjeni KËTU.
6. Hija e arkivoleve
Në tetor, Radio Evropa e Lirë solli rrëfimin e disa personave, pas rritjes së frikës në mesin e shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë – në tri komunat që njihen me termin si Lugina e Preshevës – për rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi.
Një gjë e tillë, për shumë shqiptarë në Luginë sjellë në kujtesë vitet ’80 dhe ’90, kur të rinj shqiptarë që kryenin shërbimin ushtarak në Jugosllavinë e atëhershme, ktheheshin në shtëpi në arkivole dhe familjarëve të tyre nuk u jepeshin shpjegime për rrethanat e vdekjes, shesh duke përmendur “vetëvrasje” e aksidente.
Sadik Sadiku nga Rahovica e Preshevës, sa herë që dëgjon fjalën “ushtri”, i kujtohet arkivoli i mbyllur hermetikisht që solli dhembje në familjen e tij.
Dyzet e tre vjet më parë, nipi i tij, Yzeiri, u kthye i vdekur nga shërbimi ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ). Trupi i tij mbërriti në shtëpi në një arkivol të mbyllur - pa mundësinë që familja ta hapte dhe ta shihte.
Familjes iu tha se bëhej fjalë për “vetëvrasje”, por ky version i autoriteteve ushtarake të asaj kohe s’u pranuan asnjëherë nga familja e Sadikut.
“I kam tre nipa, të cilët janë të pjekur për ushtarë, por unë nuk i lëshoj”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
7. Rrëfimi i një siriani në Kosovë: “Si i ika luftës, por mbeta i burgosur në Prishtinë”
Sami Almeshhadani, një 26-vjeçar nga Siria, vendosi që më 2017 të largohej nga vendi i tij i përfshirë nga lufta. U nis drejt Evropës dhe përfundoi në Kosovë më 2019, për të kërkuar një jetë më të sigurt.
Por, ai tha se nuk ka të drejtë të udhëtojë, të bashkohet me familjen apo të sjellë të fejuarën e tij në Kosovë. Dhe, në vend të sigurisë dhe një jete të re, Kosova, për të, solli një gjendje pasigurie dhe izolimi.
“Për nëntë muaj jetuam në një kamp refugjatësh, duke pritur. Avokatët na premtonin shumëçka, por, në praktikë, na mohohej e drejta për të punuar dhe disa liri themelore. Përfundimisht, na u dha statusi i ‘personit nën mbrojtje’. Nuk ishte status refugjati, ishte diçka më pak. Kjo nënkuptonte se mund të qëndronim në Kosovë, por nuk kishim asnjë rrugë drejt shtetësisë. Asnjë të drejtë për të udhëtuar. Kosova m’u bë një burg i hapur. Dhe më duket sikur dënimi im është burgim i përjetshëm”, tha ai.
Ai ka lejeqëndrim deri në shkurtin e vitit të ardhshëm, dhe tha se duhet të presë sërish për të rregulluar çështjen e tij të udhëtimit dhe të drejtës së punës.
“Ndoshta [duhet të pres] një vit tjetër, ndoshta më gjatë. Ndoshta përgjithmonë”, tha ai.
Radio Evropa e Lirë, në një artikull të ndarë, ka sjellë rrëfimin e tij në detaje se si iku nga Siria, të cilin mund ta lexoni KËTU.
8. Mbi çati e në gypa ujësjellësi, azbesti rrezikon qytetarët e Kosovës
Shumë ndërtesa të vjetra në Prishtinë mbeten të mbuluara me çati që përmbajnë azbest, një material i njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin.
Ky material, që është i ndaluar në shumë vende të botës, në Kosovë vazhdon të jetë i pranishëm në infrastrukturë, përfshirë në gypat e ujit dhe në çati të objekteve private e të objekteve publike, si spitalet dhe shkollat.
Për pensionisten Nexhmije Osmani, çdo shi dhe erë është një rikujtim se çatia mbi kokën e saj është e mbuluar me materiale të rrezikshme.
“Azbesti është shumë i keq, e dimë se shkakton sëmundje, shkakton kancerin... Të shqetësuar jemi, po nuk kemi mundësi”, tha ajo, kur u pyet nëse mund ta ndërrojnë çatinë.
Në Prishtinë, sipas të dhënave zyrtare më shumë se 230 mijë metra katrorë çati të ndërtesave dhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me materiale azbesti.
9. Si arriti Kosova buzë kualifikimit në Kupën e Botës 2026
Kombëtarja e Kosovës në futboll ka bërë hapa drejt Kupës së Botës dhe është shumë pranë që për herë të parë në histori të kualifikohet në Botërorin që mbahet më 2026.
Analistët e sportit e kanë cilësuar mbresëlënëse paraqitjen e Dardanëve në fushatën për Kupën e Botës, teksa Kombëtarja do të luajë në plajof me synimin që të sigurojë kualifikimin.
10. Si është të jesh brenda bombarduesve që SHBA-ja i përdori në Iran e në Kosovë?
Gjatë këtij viti, Shtetet e Bashkuara bombarduan objektet bërthamore të Iranit, pas përshkallëzimit të luftimeve mes Teheranit dhe Izraelit.
Uashingtoni përdori aeroplanët B-2, që ishin përdorur edhe kundër objektivave serbe në Kosovë, më 1999, dhe ato sulme shërbyen si përvojë për pilotët amerikanë sa herë kanë nisur misione tjera të gjata me aeroplanët B-2. Këta aeroplanë janë të padukshëm dhe mbushen me karburant gjatë fluturimit – por, qëndrimi brenda tyre është goxha sfidues për pilotët.