Haradinaj i kritikon Kurtin dhe të tjerët që munguan në takim me presidenten
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur fyerje për Kosovën e institucionet mospjesëmarrjen e Lëvizjes Vetëvendosje në takimin konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve.
Pas takimit me Osmanin, Haradinaj tha se mungesa e kryeministrit Albin Kurti dhe e përfaqësuesve të partnerëve të tij në Qeveri, “nuk është në rregull”.
“Një shije e keqe ishte mospjesëmarrja e Vetëvendosjes me partnerët e tyre qeverisës, kuptohet edhe Lista Serbe mungoi në takim”, tha ai.
“Mospjesëmarrja e tyre sot, qoftë edhe me mendime të kundërta për t`i ballafaquar, për t`i paraqitur në këtë takim, që është më i larti i mundshëm partive politike parlamentare me presidenten e vendit, për një temë kaq të ndjeshme, është një lloj fyerje po them unë për vendin, për Kosovën, për institucionet”, shtoi ai.
Hamza: Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) Bedri Hamza ka thënë pas takimit me presidenten Osmani se partia e tij ka qenë konstruktive që Kosova të ketë president të ri, mirëpo situata është si është.
“Shpreh keqardhje që kemi ardhur deri në këtë moment. Nuk ka pasur asnjë arsye, ka pasur më shumë sesa një alternativë. Përgjegjësia kryesore natyrisht se është mbi partinë fituese, partinë më të madhe, sepse ajo ka mundur t’i japë vendit president”.
I pyetur nëse partia e tij është e gatshme për zgjedhje, Hamza ka thënë se zgjedhjet janë të panevojshme, të lodhshme për qytetarët e Kosovës, dhe të kushtueshme, mirëpo asnjë parti politike nuk ka mundur t’i japë vendit president, përveç partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje.
“Lëvizja Vetëvendosje me cilëndo prej partive politike ka mundur t’i japë vendit president. Megjithatë, meqë kemi mbërritur këtu, dhe tashmë është e qartë, ne po flasim për datën kur do të jenë zgjedhjet, meqë ato janë të pashmangshme, PDK-ja i ka strukturat, e ka organizimin, i ka të gjitha”.
Përfundon takimi i Osmanit me liderët e partive opozitare
Kanë nisur deklarimet për media.
Do t'ua sjellim shumë shpejt.
Çfarë u tha në nisje të takimit?
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka deklaruar se beson që vendimi i presidentes Vjosa Osmani për të shpërndarë Kuvendin është në përputhjen me rendin kushtetues.
Para takimit konsultativ për caktimin e datës së zgjedhjeve, Hamza ka thënë se Kushtetuta duhet të respektohet plotësisht.
“Besoj që presidentja e ka marrë vendimin në përputhje me rendin kushtetues, me Kushtetutën. Besoj dhe shpresoj që e ka analizuar mirë, megjithatë unë jam ithtar i asaj që të respektohet në plotni Kushtetuta e Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.
Në lidhje me datat eventuale për mbajtjen e zgjedhjeve, Hamza ka thënë se do të shohin se cilat do të propozohen dhe do ta japin kontributin e tyre.
Haradinaj: Jemi në auto-pilot
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka konsideruar të drejtë dekretin e presidentes Vjosa Osmani për ta shpërndarë Kuvendin.
“Ne tash veç jemi në auto-pilot, që i bie komandohemi nga Kushtetuta e vendit, nga afatet kushtetuese. Dekreti është rrjedhojë e këtyre afateve, është i drejtë dhe çdo aspekt tjetër i ecjes përpara duhet të bëhet në bazë të Kushtetutës, afateve kushtetuese. Ne e respektojmë dekretin, e respektojmë si të tillë. Presim edhe caktimin e datës së zgjedhjeve po ashtu bazuar në këto afate kushtetuese. Çdo datë në afate kushtetuese është e respektueshme”, ka deklaruar Haradinaj për mediat.