Çfarë u pa në sallë gjatë seancës disa minutëshe?
Në sallën e Kuvendit, ku seanca nisi sot në orën 14:30 për herë të tretë brenda dy ditëve, sërish ishin të pranishëm vetëm përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje.
Teksa prisnin vazhdimin e seancës, deputetët e LVV-së u panë nga kameramanët e Radios Evropa e Lirë, Arben Hoti dhe Ibrahim Berisha, duke buzëqeshur e biseduar me njëri-tjetrin.
Edhe AAK-ja kërkon tërheqjen e Rushitit nga gara
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i ka kërkuar Feride Rushiti të tërhiqet nga kandidatura e saj për postin e presidentes.
Ai tha, nëse nuk tërhiqet, Rushiti “po bëhet pjesë e një procesi të montuar politikisht, i një procesi që është duke rrënuar rendin kushtetues”.
Më herët, edhe PDK-ja kërkoi tërheqjen e Rushitit nga gara për postin e presidentit.
Sipas Tahirit, mund të gjendet një zgjidhje për situatën e krijuar, por jo duke e imponuar atë mbi opozitën.
“Kjo qasje veç unifikuese nuk është, kjo qasje është përjashtuese”, tha Tahiri, duke i cilësuar si propozime arbitrare kandidatet e ofruara nga LVV-ja.
Haxhiu i kërkon opozitës të mos u bëjë presion kandidateve për presidente
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka kërkuar partive opozitare që të mos u bëjnë presion kandidateve për presidente, Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha, për t’u tërhequr nga gara.
“Në vend që të bëjnë presion dhe të japin deklarata që i shtyjnë kandidatet të tërhiqen nga gara, i ftoj ata [deputetët e partive opozitare] që të vijnë [në seancë]”, deklaroi Haxhiu në vazhdimin e dytë të seancës, e cila u ndërpre pak minuta pasi nisi.
“Këtu është vendi ku flasim dhe argumentojmë, edhe juridikisht, edhe politikisht”, tha ajo.
Paraprakisht, përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i bënë thirrje Feride Rushitit të tërhiqet nga gara.
Të dashur lexues,
Unë, Doruntina Baftiu, dhe kolegia ime, Valbona Bytyqi, ju ftojmë që të vazhdoni të qëndroni me Radion Evropa e Lirë për t'u informuar për zhillimet më të fundit nga Kuvendi i Kosovës.
Nga tani, mbulimi i drejtpërdrejtë vazhdon me Mimoza Sadikun dhe Doruntina Baliun.
Pamjet nga salla e seancave të Kuvendit do t'i sjellë kameramani Bujar Tërstena.