Ndërlidhjet

Trashëgimia e luftës së Putinit  


Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin.

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, nisi një pushtim të shkallës së gjerë të Ukrainës, duke shuar shpresat se do të tërhiqej, pavarësisht retorikës së “errët dhe agresive” dhe kërkesave këmbëngulëse të tij për kufizime mbi sovranitetin e Kievit. Për Ukrainën dhe Rusinë, pasojat janë të paparashikueshme.

Më poshtë mund të lexoni disa prej zhvillimeve kyçe në Rusi në javën e fundit dhe disa prej gjërave që mund të ndodhin në të ardhmen:

Vendim vdekjeprurës

Në të kaluarën, kur ai ka marrë vendimet më të rëndësishme në më shumë se 22 vjet si president dhe si kryeministër i Rusisë, Vladimir Putin, gjithmonë dukej se po mendonte për trashëgiminë e tij politike. Këtë herë, ai ndërmori një hap gjigant, grotesk, që do të formësojë trashëgiminë e tij përgjithmonë.

I paprovokuar, Putin nisi luftën në Ukrainë më 24 shkurt, me forcat ruse që sulmuan nga tri anë dhe me Kremlinin që la të kuptohet se dëshiron të rrëzojë Qeverinë e presidentit Volodymyr Zelenskyi, një lider i zgjedhur në mënyrë demokratike në shtetin që, sikurse Rusia, është pavarësuar pasi u shpërbë Bashkimi Sovjetik 30 vjet më parë.

Raketat dhe bombarduesit rusë godasin objektivat ukrainase
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:44 0:00

Disa orë pasi raketat e para goditën, Ukraina tha se dhjetëra ushtarë dhe civilë janë varë dhe mbi 100,000 persona janë larguar nga shtëpitë e tyre, sipas Kombeve të Bashkuara. Zelenskyi tha se deri në mëngjesin e 25 shkurtit, numri i viktimave ka arritur në 137.

Vendimet e mëdha të Putinit në të kaluarën ishin si drama, teksa rezultati i tyre dihej që në fillim. Por, kritikët – njësojë sikurse publiku që shikon një shfaqje dhe lodhet që personazhi kryesor është gjithmonë i njëjtë dhe lodhet nga performancat e tij – gjithmonë kanë shpresuar deri në minutën e fundit se ai, të paktën një herë, do të bëjë gjënë e duhur. Por, më pas Putin nuk ka zgjedhur që ta bëjë gjënë e duhur.

Kjo ndodhi më 2011, kur Putin dhe njeriu i tij i afërt, Dmitry Medvedev, “dhanë një shfaqje” me dy personazhe në kongresin e partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, për njoftimin se Putin – që shërbeu si president nga viti 2000 deri më 2008 – planifikonte që të kthehej në Kremlin, pas tetë vjetësh si kryeministër, duke shuar shpresat e miliona rusëve për reforma dhe ndryshime politike.

Sërish ndodhi më 2020, kur u njoftua për planet për ndryshimin e Kushtetutës së Rusisë. Njoftimin e bëri Valentina Tereshkova, ligjvënëse e Rusisë së Bashkuar, njëherësh gruaja e parë që ka shkuar në hapësirë. Ajo kishte propozuar që të shtohej një amendament që do t’i lejonte Putinit – që deri në atë kohë nuk i lejohej që të garonte për rizgjedhje më 2024 – që të rizgjidhej dhe të garonte sërish më 2030.

Njoftimi publik i vendimit të Putinit për pushtimin e Ukrainës u shënua përmes një koreografie të ngjashme, ku u përfshin një sërë fjalimesh të regjistruara para se të transmetoheshin dhe me mbajtjen e takimit të Këshillit të Sigurisë, që për herë të parë u transmetua i plotë në televizion.

“Jashtëzakonisht i errët dhe agresiv”

Disa orë pas takimit të Këshillit të Sigurisë, po ashtu përmes televizionit kombëtar, Putin tha një sërë gënjeshtrash ndaj Ukrainës dhe Perëndimit, dhe në fund të fjalimit, njoftoi se Rusia do të njohë si shtete të pavarura dy territoret e pretenduara nga separatistët e mbështetur nga Moska në lindje të Ukrainës. Me këtë njoftim ai i hapi rrugën pushtimit.

Fjalimi “jashtëzakonisht i errët dhe agresion”, siç e ka cilësuar një analist rus, i bindi plot njerëz që e dëgjuan atë fjalim se Rusia, në fakt, do ta pushtonte Ukrainën. Të tjerët nuk e besonin derisa të ndodhte – dhe më pas u duk, duke analizuar deklaratat e Putinit mbi Ukrainën në javët dhe muajt e fundit, si diçka që ai mund të ketë vendosur ta bëjë shumë kohë para se ta bënte publik vendimin e tij.

Përderisa kjo ishte e vërtetë në dy raste në të cilat ai erdhi në përfundim se nuk do të largohej nga Kremlini, ku mund të rrinte thjesht duke shfrytëzuar zbrazëtirat ligjore në Kushtetutë dhe më pas t’i ndryshonte ato, vendimi për Ukrainën ishte ndryshe.

Lëvizjet e Putinit për të zgjatur sundimin e tij qartazi kanë pasur efekt të thellë dhe afatgjatë në Rusi dhe qytetarët – për shembull, në ata që janë burgosur gjatë shtypjes së vazhdueshme të disidencës dhe familjet e viktimave nga pandemia e COVID-19, pasi sipas kritikëve të Kremlinit, autoritetet nuk e kanë menaxhuar siç duhet situatën me pandeminë.

Por, nisja e një sulmi në shkallë të gjerë ndaj një shteti tjetër është një gjë krejtësisht tjetër, që ka pasoja më të menjëhershme, tragjike dhe të përgjakshme. Dhe mbi të gjitha, ka pasoja që do të mund të shmangeshin plotësisht.

Në Ukrainë, në Rusi dhe në mbarë botën, miliona njerëz mbetën të shtangur nga vendimi i Putinit. Disa prej tyre kanë protestuar më 24 shkurt në Moskë, Shën Petersburg dhe dhjetëra qytete ruse. Autoritetet arrestuan mbi 1,800 protestues. Të tjerët, nga Kievi u nisën drejt perëndimit, duke tentuar që të ikin nga kryeqyteti ukrainas, ku qëndrojnë rrënjët historike të Ukrainës dhe Rusisë, qytet që është në shënjestër të Rusisë.

Emilia, 36 vjeçe, programere e teknologjisë informative, së bashku me vajzën e saj tetëvjeçare Ira, u strehuan në stacionin e metrosë, që gjendet nën Sheshin e pavarësisë të Kievit –Maidan – vend ku ishin shënuar festimet për pavarësi nga Moska dhe janë mbajtur shumë protesta të rëndësishme që prej rënies së Bashkimit Sovjetik.

“Askush nuk e priste, që në botën moderne, që ne të jemi këtu në metro, duke fjetur këtu, duke u fshehur, ashtu siç kemi lexuar dhe kemi parë imazhe të Luftës së Dytë Botërore”, tha Emilia nga Radio Evropa e Lirë.

Ajo kishte edhe një pyetje: “Cili është kuptimi i gjithë kësaj marrëzie?”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG