Ndërlidhjet

Shkup: Nuk nis viti shkollor, arsimtarët në grevë për rritje pagash


Nxënësit në një shkollë në Maqedoninë e Veriut. Foto nga arkivi.

Viti i ri shkollor në Maqedoninë e Veriut nuk ka nisur më 2 shtator, pasi punonjësit e arsimit në shkollat fillore dhe të mesme kanë mbajtur grevë njëditëshe paralajmëruese për rritjen e pagave për 25 për qind. Greva vjen pas dështimit të bisedimeve mes sindikatës dhe Ministrisë së Arsimit për rritjen e pagave në sektorin e arsimit, e të cilat sipas sindikatës, janë ndër më të ulëtat në rajon.

Rroga mesatare e një mësimdhënësi në arsimin fillore është 21.660 denarë (350 euro), kurse e atyre në arsimin e mesëm 22.500 denarë (365 euro).

“Kjo grevë nuk është e drejtuar kundër askujt, por është një luftë për mbijetesën e punonjësve të arsimit. Kërkesat tona janë të karakterit ekonomiko-social, rritjen e pagave për punonjësit e arsimit prej 25 për qind, ngritjen e entuziazmit, të moralit, motivimin e arsimtarëve që do të reflektohet edhe në ngritjen e cilësisë në mësim dhe nxjerrjen e gjeneratave më të mira të nxënësve”, ka deklaruar kryetari i sindikatës, Jakim Nedelkov duke njoftuar edhe për presione që janë bërë ndaj punonjësve të arsimit që të mos i përgjigjen grevës, por të pranojnë nxënësit në shkollë.

Kreu sindikatës, tha se gjatë shtatorit do të ketë bisedime me qeverinë për pranimin e kërkesave, por nëse ato dështojnë atëherë paralajmëron grevë të përgjithshme.

“Shtatori do të jetë muaj i bisedimeve me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë për kërkesat tona për rritjen e pagave dhe ne presim që të ketë epilog. Ne, do të analizojnë negociatat dhe nëse ato nuk japin rezultatin e pritur, do të organizojmë grevë të përgjithshme, me atë të papërcaktuar, pra, do të zgjasë deri në plotësimit e kërkesës tonë”, thotë kryetari i Sindikatës së Arsimit, Jakim Nedelkov.

Nga Ministria e Arsimit i kanë bërë thirrje mësimdhënësve që të heqin dorë nga greva dhe të pranojnë nxënësit në shkolla, ndërsa sa i përket pagave, ministri Arbër Ademi thotë se rritje do të ketë për 5 për qind, që sipas tij, krahasuar me rritjen e njëjtë vitin e kaluar kemi një rritje, prej 10 për qind brenda një viti.

“Rroga e shtatorit të vitit 2019, krahasuar me rrogën e gushtit të vitit 2018 është më e lartë se 10.8 për qind. Qeveria është e përkushtuar që të ketë rritje të sërishme të pagave, ndërsa do të vazhdojmë edhe me dialogun konstruktiv që e kemi deri më tani edhe me sindikatën, duke definuar së bashku të gjitha masat sistemore dhe statusin e punonjësve në këtë sferë”, ka deklaruar Ademi duke ftuar punonjësit në arsim që të angazhohen në zbatimin edhe të risive në këtë viti shkollor që dalin nga Ligji i ri për arsimin fillor, e që përveç rritjes së cilësisë, garantojnë edhe rritje pagash për sukseset e treguara.

“Ky ligj siguron më shumë të drejta për nxënësit dhe mësimdhënësit, mundësi më tepër për ngritje në karrierë e zhvillim profesional dhe financiar, respektivisht rroga më të larta. Ky ligj ka në fokus gjithëpërfshirjen apo arsimimin dhe kujdesin edhe të atyre me nevoja të posaçme”, është shprehur ministri i Arsimit, Arbër Ademi.

Në arsimin fillor dhe të mesëm, procesin mësimor e ndjekin rreth 260 mijë nxënës, ndërsa rreth 20 mijë prej tyre për herë të parë në bankat shkollore.

XS
SM
MD
LG