Ndërlidhjet

Zaev dhe Tsipras, optimist për zgjidhjen e kontestit


Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, gjatë konferencës të përbashkët për media
Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, gjatë konferencës të përbashkët për media

Bisedimet në Davos mes Maqedonisë dhe Greqisë dhe përkushtimi i kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras për zgjidhjen e kontestit të emrit, është vlerësuar në Shkup si hapi i parë më konkret për kapërcimin e këtij problem shumëvjeçar që ka bllokuar procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Nga Qeveria nuk kanë dhënë detaje shtesë nga bisedimet ndërsa kryeministri Zaev, të mërkurën në mbrëmje, pas takimit të parë me homologut grek tha se dy vendet do të bëjnë gjithçka për mbylljen e kontestit dhe si dëshmi për këtë përmendi vendimin e Qeverisë që drejton, për ndryshimin e emërtimit të autostradës dhe aeroportit të Shkupit që mbajnë emrin e Aleksandrit të Madh, për të cilin, grekët thonë se i përket historisë së tyre antike.

Pala greke, nga ana tjetër është zotuar për të mundësuar afrimin e Maqedonisë drejt institucionet evropiane, para se gjithash do të mundësojë inkuadrimin e vendit në disa nisma, ku ishte bllokuar për shkak të kontestit.

“Nuk vlerësoj se kemi bërë lëshime të mëdha, pasi jemi në një periudhë kur dy shtetet duhet të japin sinjale të vullnetit të mirë dhe mendoj se jemi në këtë vijë. Pra, mendimi im është se Maqedonia nuk humb, ndërsa pala greke do të mundësojë pranimin e Maqedonisë në disa nisma, përfshirë edhe atë të Adriatikut dhe Jonit, ku bëjnë pjesë grupe të ndryshme të shteteve anëtare të BE-së që i rregullojnë nevojat e tyre”, thotë Simonida Kacarska nga Instituti për Politikë Evropiane.

Njohësit e çështjeve politike, besojnë se pas bisedimeve mes kryeministrave, Tsipras dhe Zaev, zgjidhja është shumë pranë marrjen së epilogut pozitiv.

“Mendoj se ka gjasa që problemi shumëvjeçar të zgjidhet shumë shpejt, por kjo nuk besoj se do të arrihet me ndonjë konsensus të gjerë, të cilin të gjithë e dëshirojnë. Por, nga ana tjetër vlerësoj se zgjidhja do të jetë e qëndrueshme pasi nuk do të prek, apo rrezikojë identitetin tonë. Nuk mund të parashikojnë procedurat, megjithatë konsideroj se ato do të kapërcehen ndoshta së pari marrëveshjet do të kalojnë në Kuvend, pastaj do të kemi pranim të vendit në NATO, e pastaj edhe mund të ketë referendum, por në fazën kur do të jemi në NATO, mendoj se do të krijohet një klimë më lehtë”, thotë Lubomir Fërçkovski, ish-ministër i Punëve të Jashtme.

Kryeministri grek, Tsipras pas bisedimeve me kryeministrin Zaev ka thënë se zgjidhja përfundimtare duhet të arrihet përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, gjetjen e një emri për përdorim të gjithanshëm, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, dhe se kjo sipas tij nuk mund të bëhet pa ndryshimin e Kushtetutës.

Por, Fërçokvski thotë se për një gjë të tillë nuk ka nevojë, pas marrëveshja do të kishte karakterin ndërkombëtar.

“Unë mendoj se nuk duhet të ndryshohet Kushtetuta dhe se marrëveshja do të jetë ndërkombëtare për një emër për përdorim ndërkombëtar. Kjo do të ishte e mjaftueshme. Ndërkohë, nuk e kam të qartë çështjen e irredentizmit. Nëse mendohet në një pjesë të Kushtetutës, ajo fare nuk ka të bëjë me çështje irredentiste, por një çështje që bazohet në praktikat ndërkombëtare lidhur me kujdesin ndaj maqedonasve që jetojnë jashtë vendit”, thotë Fërçkovski.

Lidhur për çështjen e emrit, të mërkurën pritet të mbahet një takim i presidentit të Maqedonisë, me praninë edhe të VMRO-DPMNE-së opozitare.

Ndërkohë, takimi mes kryeministrave të Maqedonisë dhe Greqisë dhe mesazhet që përcollën Zaev dhe Tsipras janë mbështetur nga faktorët ndërkombëtarë.

“Takimi Tsipras-Zaev është një lajm i mirë. Ai tregon guxim, vizion dhe lidership. Zgjidhja e kësaj çështjeje që po zgjatë një kohë të gjatë, do të jetë e mirë për dy vendet, për rajonin dhe Evropën”, ka shkruar në Twitter, komisioneri për Zgjerim i BE-së, Johannes Hahn.

XS
SM
MD
LG