Ndërlidhjet

Deklaratat e 2020-s


Zbukurim për vitin që shkoi 2020

Konfliktet ushtarake, tensionet e larta politike dhe mosmarrëveshjet mes vendeve fqinje kanë vazhduar të përbëjnë problem edhe më 2020.

Koronavirusi ka qenë, po ashtu, temë kyçe e diskutimeve përgjatë gjithë vitit.

Dëgjojeni këtu versionin audio të materialit.

Deklaratat kyçe të vitit 2020
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:09:15 0:00
Linku direkt

Në mesin e deklaratave që do të mbahen mend janë edhe këto:

Janar

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka konfirmuar më 3 janar në një video-lidhje për rrjetin televiziv, CNN për një sulm me dron në Bagdad që ka lënë të vdekur komandantin e forcave elite të Gardës Revolucionare të Iranit, Qassem Soleimani.

"Vendimi i presidentit Donald Trump për të larguar Qasem Soleimanin nga fushëbeteja ka ruajtur jetën amerikane – nuk ka dyshim për këtë gjë. Ai vazhdimisht ka bërë komplote në rajon që do të rrezikonin jetën e qindra amerikanëve. Ne e dimë se ishte e pashmangshme. Ky ka qenë një vendim i bazuar në inteligjencë, që ka diktuar procesin tonë të vendimmarrjes”.

Udhëheqësi i Departamentit të Hapësirës Ajrore në Gardën Revolucionare Amirali Hajizadeh, ka thënë më pas më 11 janar nga Teherani se forcat iraniane kanë qëlluar “gabimisht” një aeroplan ukrainas të pasagjerëve, pak pasi është nisur nga aeroporti në Teheran më 8 janar.

“Nëse është bërë ndonjë gabim, dikush prej pjesëtarëve të gardës sonë e ka bërë atë gabim. Meqë ai pjesëtar i gardës është nën komandën tonë, ne jemi përgjegjës për të. Ne duhet të marrim përgjegjësi”.

Shkurt

Më 29 shkurt të vitit 2020, presidenti afgan, Ashraf Ghani ka mbajtur një konferencë për media në Kabul, pak para nënshkrimit të marrëveshjes në Katar, në mes të talibanëve dhe Shteteve të Bashkuara.

“Sot mund të jetë një moment i tejkalimit të së kaluarës. Njerëzit tanë mund ta shënojnë këtë si kohë kur kërkesa për paqe të qëndrueshme dhe të dinjitetshme është shndërruar nga diçka e dëshirueshme në diçka të realizueshme – edhe për gjeneratat e tanishme dhe për gjeneratat e ardhshme”.

Mars

Në muajin mars, botën e përfshiu një pandemi.

Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesus ka bërë këtë njoftim më 11 mars nga Gjeneva.

“Në ditët dhe javët në vijim, ne presim rritje të numrit të rasteve të infektimit edhe më shumë sesa tani. OBSH-ja ka qenë duke analizuar këtë shpërthim dhe jemi shumë të shqetësuar nga nivelet alarmante të përhapjes dhe nivelit alarmant të mosveprimit. Prandaj kemi vlerësuar se COVID-19, mund të karakterizohet si pandemi”.

Në po këtë muaj, presidenti i Lojërave Olimpike Tokio 2020, Yoshiro Mori, ka njoftuar më 30 mars për shtyrje të Lojërave Olimpike nga viti 2020 në 2021 për shkak të pandemisë së koronavirusit.

“Kjo është hera e parë në histori të Lojërave Olimpike që ato janë shtyrë, dhe veçse janë ngritur një varg çështjesh. Përcaktimi për një datë është gjë e rëndësishme për përgatitjet e së ardhmes. Unë besoj se një vendim i hershëm për datë të re, do të shtyjë përpara përgatitjet për të ardhmen”.

Prill

Në prill të vitit 2020, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka uruar Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në NATO.

"Urimet e mia shkojnë për Maqedoninë e Veriut, që është bërë anëtarja e 30-të e aleancës së NATO-s. Pranimi i saj forcon aleancën dhe shton dëshminë se shtetet e dinë se qëndrimi afër me shtetet e Perëndimit është mënyra më e mirë për të garantuar siguri, stabilitet dhe prosperitet për kombet e tyre”.

Maj

Më 30 maj të këtij viti, Agjencia ndërkombëtare e Hapësirës NASA, dhe kompania SpaceX e miliarderit Elon Musk, kanë nisur nga Florida raketën e parë me dy persona në të. Astronautët, Bob Behnken dhe Doug Hurley kanë qenë dy astronautët që i kanë dhënë fund pauzës nëntëvjeçare të varësisë së SHBA-së ndaj Rusisë, sa i përket dërgimit të njerëzve në Hapësirë.

“Pesë, katër, tre, dy, një, zero. U ngrit Falcon 9 dhe ekipi Dragon. Përpara NASA, përpara SpaeceX.

Nisja historike e astronautëve të NASA-s në Hapësirë
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:00:29 0:00

Qershor

Kryeministri çek, Andrej Babish ka njoftuar më 5 qershor në Pragë, se qeveria e tij ka vendosur të shpallë “persona të padëshiruar” dy pjesëtarë të Ambasadës ruse në Pragë.

"Nga informatat dhe të dhënat që kemi pranuar nga Shërbimi Informativ i Sigurisë, është e qartë se i gjithë rasti është nxitur si rezultat i një lufte të brendshme në mes të anëtarëve të ambasadës së Federatës ruse në Pragë, kur njëri prej tyre ka dërguar Shërbimit tonë të Sigurisë, informacion të rremë për një sulm të planifikuar ndaj politikanëve çekë”.

Korrik

Në korrik të këtij viti presidenti rus, Vladimir Putin ka mbajtur një fjalim nga rezidenca e tij jashtë Moskës, pas rezultatit të një referendumi, në të cilin janë miratuar një varg ndryshimesh kushtetuese, në mesin e tyre edhe ato që i lënë mundësinë e hapur Putinit për të qenë në pushtet deri më 2036.

“Kam folur shumë për nevojën e miratimit të ndryshimeve të reja kushtetuese. Ato kanë të bëjnë me konsolidimin e sistemit tonë politik, sigurimit të garancive sociale, sovranitetit, integritetit territorial, vlerave tona shpirtërore, historike dhe morale, që bëjnë bashkë gjeneratat. Në të njëjtën kohë, i kuptoj edhe ata që kanë votuar kundër”.

Gusht

Në muajin gusht në Bjellorusi kanë shpërthyer protestat dhe përleshjet pas zgjedhjeve presidenciale të mbajtura më 9 gusht. Aleksandar Lukashenka ka fituar mandatin e gjashtë presidencial, mirëpo opozita ka pretenduar se procesi zgjedhor është manipuluar.

“Ata (protestuesit) janë endur gjithë natën, duke tentuar që të sulmojnë pjesëtarët e policisë dhe në disa momente edhe i kanë sulmuar ata, mirëpo djemtë kanë qenë të dinjitetshëm dhe janë përgjigjur si duhet. Ne kemi viktima si në anën e policisë ashtu edhe në anën e civilëve. Pjesëtarët e policisë dhe të ushtrisë që janë përfshirë, kanë pasur sjellje të dinjitetshme”.

Shtator

Kancelarja gjermane, Angela Merkel ka njoftuar më 2 shtator për rezultatet e testeve toksikologjike të liderit opozitar rus, Aleksei Navalny, teksa ka qenë duke vazhduar trajtimin mjekësor në Gjermani.

"Aleksei Navalny ka qenë viktimë e një sulmi me agjent nervor të grupit Noviçok. Prania e helmit është vërtetuar pa asnjë dyshim në testet laboratorike. Aleksei Navalny ka qenë viktimë e krimit. Ai ishte supozuar të qëndronte i heshtur. Në emër të Qeverisë gjermane, unë dënoj këtë gjë në nivelin më të lartë.

Navalny: E di kush donte të më vriste
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:03:44 0:00

Tetor

Një tjetër deklaratë që do të mbahet mend më 2020, është edhe ajo e kryeministrit armen, Nikol Pashinian më 3 tetor, teksa ka folur nga Jerevani për luftimet e ashpra në zonën e konfliktit në Nagorno-Karabak.

"Të gjithë ne duhet të jemi të përgatitur për t’iu përkushtuar një misioni që e quajmë fitore finale. Secili nga ne duhet të jetë gati që të jetë në qendër të fitores. Ne do të fitojmë! Ne me siguri do të fitojmë! Jini të bindur se fitorja do të jetë në anën tonë!”

Më vonë, më 9 tetor, gjatë një interviste për kanalin televiziv, CNN nga Bakuja, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka folur për luftimet vdekjeprurëse në këtë rajon.

"Objektivi ynë kryesor është të çlirojmë këto territore dhe të lejojmë refugjatët e Azerbajxhanit dhe personat tjerë të zhvendosur që të kthehen mbrapa. Ne mendojmë se kur lufta të përfundojë, kur forcat pushtuese të tërhiqen, armenë dhe azerbajxhanasit në Nagorno-Karabak do të jetojnë krah për krah”.

Nëntor

Në nëntor të 2020-ës presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka njoftuar për heqje dorë nga pozita që ka mbajtur.

“Pak minuta më parë, jam informuar zyrtarisht se gjyqtari i procedurës paraprake i Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër meje. Aktakuza kundër me dhe bashkëluftëtarëve të mi është një tjetër çmim i vogël që na kërkohet ta paguajmë për lirinë e shtetin dhe popullin tonë”.

Nga çlirimtar në i pandehur: Kush është Hashim Thaçi?
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:04:36 0:00

Më 7 nëntor të atij viti, presidenti i zgjedhur amerikan, Joe Biden ka mbajtur fjalimin e tij të fitores në Delauer.

“Njerëzit e këtij kombi kanë folur… ata na kanë ofruar fitore të qartë dhe bindëse. Ne kemi fituar më shumë vota sesa secili kandidat për president në historinë e këtij kombi - 74 milionë.

Dhjetor

Presidentja e zgjedhur moldave Maia Sandu, ka folur në dhjetor në një intervistë për shërbimin moldav të Radios Evropa e Lirë në Kishinjev për thirrjet e saj për largim të trupave ruse nga rajoni i shkëputur moldav, Transdniester, dhe për reagimin e ashpër të Ministrisë së Jashtme ruse që ka pasuar.

"E përsëris pozicionin e Republikës së Moldavisë- nuk ka asgjë të re këtu, ky ka qenë gjithmonë pozicioni i Republikës së Moldavisë. Rusia e ka përsëritur qëndrimin e Federatës Ruse dhe sërish, asgjë nuk është e re. Diskutimi – sepse ka nevojë për diskutim në mënyrë që të gjejmë zgjidhje –duhet të zhvillohet jashtë hapësirës publike dhe këtë synojmë ta bëjmë ne. Unë gjithmonë e kam thënë këtë gjë”.

XS
SM
MD
LG