Ndërlidhjet

Pompeo do të punojë për ta “përmirësuar” marrëveshjen me Iranin


Mike Pompeo

I zgjedhur i presidentit Donald Trump për postim e Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo u përpoq që të heqë dyshimet se ai mund të avokojë që SHBA të tërhiqet nga marrëveshja bërthamore me Iranin, duke thënë se ai do të vazhdojë të punojë me aleatët e SHBA-së në përpjekje për të forcuar dhe “përmirësuar” marrëveshjen.

Shefi i CIA-s Pompeo, që u nominua për postin e kryediplomatit të SHBA-së nga Trump muajin e kaluar, ka thënë gjatë një seance dëgjimore për konfirmin e tij para Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit, se ai do të vazhdojë punën e ish-sekretarit Rex Tillerson dhe do të punojë me aleatët evropianë për të përmirësuar marrëveshjen me Teheranin.

“Dua ta rregulloj marrëveshjen. Ky është qëllim”, ka thënë Pompeo para komitetit të Senatit.

“Nëse nuk ka asnjë shansë që marrëveshja ta rregullohet, unë do t’i rekomandoj presidentit që ne të bëjmë punën tonë më të mirë së bashku me aleatët, për të arritur një rezultat më të mirë dhe një marrëveshje më të mirë”.

Presidenti Trump ka vendosur një afat që deri në muajin maj që marrëveshja bërthamore me Teheranin të përmirësohet, në të kundërtën, ai ka kërcënuar se do të tërhiqet nga kjo marrëveshje.

Trump ka thënë se ai nuk do të nënshkruajë ndonjë valë të re të sanksioneve, derisa, ato që ai i quan “të metat e tmerrshme” të marrëveshjes, të jenë përmirësuar.

Por, pavarësisht kritikave të Trumpit se Teherani po shkelë “shpirtin” e marrëveshjes, duke vazhduar prodhimin e raketave balistike, Pompeo ka thënë se ai “nuk ka para të dhëna se ata (Irani) nuk po i përmbahen marrëveshjes”.

Drejtori i CIA-s, Pomepo ka shtuar se nuk beson që Irani mund të prodhojë shpejt armë bërthamore, nëse marrëveshja prishet.

Teherani së fundmi ka kërcënuar se do të rikthejë aktivitetet e tij bërthamore, nëse Trump tërhiqet nga marrëveshja.

Pompeo ka thënë se ai do të vazhdojë përpjekjet e Tillersonit për të negociuar një marrëveshje shtesë, që ka për qëllim forcimin e marrëveshjes bërthamore së bashku me aleatët evropianë (Francën, Britaninë dhe Gjermaninë), të cilët kanë qenë në mesin e gjashtë fuqive botërore që kanë nënshkruar marrëveshjen bërthamore më 2015.

Negociatorët evropianë, që po mbajnë bisedime me negociatorin amerikan Biran Hook në Uashington, kanë thënë se besojnë se po bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje, ku do të adresohen shqetësimit e presidentit Trump mbi paktin bërthamor, ka raportuar agjencia Reuters.

Reuters ka cituar një diplomat evropian të ketë thënë se nëse “SHBA pajtohet që të punojë me evropianët që të sigurohet se programi bërthamor iranian është vetëm për përdorim civil, ne mund të pajtohemi për diçka”.

Por, ky diplomat ka thënë se negociatorët evropianë nuk mund të pajtohen në diçka që në mënyrë eksplicite është e ndaluar në marrëveshjen e vitit 2015.

Trump ka thënë se ka parë tri defekte në marrëveshjen bërthamore: dështimin për të ndaluar zhvillimin e raketave balistike të Iranit, kufizimet për inspektorët ndërkombëtarë që të vizitojnë vendet bërthamore dhe data e skadimit pas 10 vjetësh për pasurim me uranium dhe aktivitetet e tjera bërthamore të Iranit.

Përgatiti: Mimoza Sadiku
XS
SM
MD
LG