Abonohuni falas në newsletter-in e REL-it...
Çitaku: Procesi për presidentin, “maskaradë antikushtetuese”
Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, deklaroi se “është për keqardhje që dy gra kanë pranuar të huazojnë emrin e tyre në një maskaradë të rrezikshme dhe antikushtetuese”.
“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurtit”, shkroi Çitaku në Facebook.
Në seancën e 27 prillit, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, propozoi Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën për postin e presidentes.
Votimi u zhvillua edhe pse në sallë nuk ishin të pranishëm së paku 80 deputetë, siç kërkohet nga legjislacioni në fuqi.
Rushiti, aktiviste e të drejtave të njeriut, mori 63 vota, ndërsa Hoxha nuk mori asnjë votë. Një votë u shpall e pavlefshme.
Radio Evropa e Lirë tentoi disa herë të kontaktonte Rushitin, por pa sukses.
Tik-taku i afatit
Sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.
Ky afat i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit.
Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.
A po zhvillohet zgjedhja e presidentit në kundërshtim me Kushtetutën?
Kushtetuta dhe praktika e gjyqësisë kushtetuese përcaktojnë se në seancë duhet të jenë të pranishëm së paku 80 deputetë, në mënyrë që të konsiderohet se janë plotësuar kushtet ligjore për të proceduar me zgjedhjen e presidentit.
Nëse asnjëri prej kandidatëve nuk i merr votat e nevojshme në dy rundet e para, atëherë organizohet rundi i tretë.
Që ky rund të jetë i vlefshëm, në votim duhet të marrin pjesë së paku 80 deputetë, ndërsa kandidati që merr të paktën 60 vota, zgjidhet president.
Në seancën e 27 prillit morën pjesë vetëm deputetët e shumicës parlamentare - më pak se 70 prej tyre.