“Jeni lodhur nga izolimi, por rreziku nuk ka kaluar ende”
Trendi i pandemisë së koronavirusit në Kosovë është në rënie dhe nëse do ta ketë një ecuri normale, kjo rënie do të vazhdojë edhe më tej, vlerësojnë zyrtarët shëndetësorë në vend. Por, sipas tyre, në rast se institucioneve të vendit dhe qytetarëve do t’iu mungojë vigjilenca, ekziston rreziku që trendi të marrë kahe negative.
Me vendimin e Ministrisë në detyrë të Shëndetësisë, më 4 maj ka nisur zbatimi i fazës së parë të lehtësimit të masave kufizuese kundër koronavirusit. Orari i qarkullimit të qytetarëve, sipas numrave të parafundit në letërnjoftimeve të tyre, i cili ka qenë 90 minuta në ditë, tashmë është zgjeruar dhe qytetarët mund të lëvizin dy herë në ditë nga 90 minuta.
Gjithashtu janë hapur edhe një numër i dyqaneve dhe bizneseve tjera.
Valbon Krasniqi, infektolog në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), thotë për Radion Evropa e Lirë që lehtësimi i masave kufizuese kundër koronavirusit, nuk duhet ta ulë vigjilencën e institucioneve dhe as të qytetarëve. Siç thekson ai, Kosova ende është në gjendje pandemie dhe vazhdon të ketë mbi 400 raste aktive në terren, të cilët janë pozitive me koronavirus, si dhe disa mijëra persona të tjerë që janë në mbikëqyrje, si persona të kontaktit, të cilët eventualisht mund ta zhvillojnë sëmundjen.
“Duhet të jemi realë dhe të kërkojmë një lloj drejtpeshimi në mes të periudhës, në të cilën gjendemi tani. E dimë që qytetarët janë lodhur. E dimë që kemi kaluar tashmë thuajse dy muaj dhe qytetarët mezi presin që të lirohen nga këto masa. Por, sidoqoftë, këshilla jonë është që të vazhdojnë edhe për pak që të jenë të kujdesshëm”, tha Krasniqi.
Artikullin e plotë e gjeni këtu.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK) ka regjistruar të martën 1 person të infektuar dhe 87 persona të shëruar nga koronavirusi.
"Rasti pozitiv është rast kontakti nga: komuna e Mitrovicës 1 rast (sipas vendbanimit: 1 rast Rekë)", është thënë në njoftim.
Përgjatë 24 orëve të fundit, ky Institut ka thënë se janë kryer 220 teste për këtë virus.
Marrë parasysh të dhënat e fundit, deri më tani në Kosovë janë regjistruar 856 persona të infektuar, 490 të shëruar dhe 26 të vdekur si pasojë e sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi.
Metrotë mbyllen gjatë natës për herë të parë në Nju Jork
Administrata për Transport në qytetin e Nju Jorkut planifikon që të ndalë sistemin e metrove nga ora 1:00 deri në 5:00 të mëngjesit të së mërkurës për dezinfektim.
Shërbimet do të rikthehen sërish, mirëpo me orar të shkurtuar për herë të parë në historinë 115-vjeçare të metrosë në këtë qytet.
Qarkullimi me autobusë do të jetë falas gjatë asaj kohe.
Ky vendim vjen pas rënies për 90 për qind të kërkesës për këtë transport dhe numrit të madh të personave të pastrehë që janë duke jetuar në këto hapësira.
Guvernatori i Nju Jorkut, Andreë Cuomo ka thënë në një konferencë për media se shërbimet do të rikthehen “kur pandemia të mos jetë më problematike”.
“Ju më tregoni mua kur përfundon pandemia dhe unë ju tregoj kur rikthehet shërbimji 24-orësh”, i ka thënë ai një gazetari.
Cuomo ka thënë se Nju Jorku ka regjistruar 230 vdekje shtesë për shkak të koronavirusit në 24 orët e fundit, për dallim nga 226 sa kanë qenë ditën e diel.
Detajet e jashtëzakonshme të koronavirusit
Ky është një vështrim i nivelit mikroskopik i koronavirusit që ka shkaktuar pandemi.