Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit, Haxhiu i drejtohet Kushtetueses

E përditësuar

• Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, Kuvendi dështoi ta zgjedhë atë.

• Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.

• Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet.

• Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

• Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

• Paraprakisht presidentja Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi dështoi të mbledhë mbështetje për kalimin e tyre.

13:59 5.3.2026

Vullnet a obligim: Deputetët para procesit për zgjedhjen e presidentit

Ditëve të fundit janë shfaqur paqartësi rreth asaj nëse pjesëmarrja dhe votimi në seancën për presidentin përbëjnë obligim për deputetët, apo edhe nëse moszgjedhja e presidentit nga Kuvendi çon vendin përsëri në zgjedhje të parakohshme.

Çfarë thonë Kushtetuta dhe aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese? Si e vlerësojnë njohësit e fushës këtë çështje?

Më shumë këtu:

13:18 5.3.2026

Ende s'dihet nëse do të ketë seancë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se do të bëjë përpjekje edhe pasdite për ta finalizuar procesin e zgjedhjes së presidentit, por ende nuk dihet nëse do të ketë seancë apo në sa ora mund të mbahet.

13:17 5.3.2026

Abdixhiku: Nuk i takon opozitës të propozojë kandidatë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, është shprehur i bindur se, pas mesnatës, Kosova do të futet në afatet kushtetuese për zgjedhje të reja, për shkak të asaj që ai e quajti “dështim” të institucioneve për të arritur marrëveshje për postin e presidentit.

LVV-ja - që tashmë e ka propozuar minstrin e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufcën, për këtë post - ka kërkuar që opozita ta propozojë kandidatin tjetër.

Kjo kërkesë e LVV-së shihet si e paarsyeshme nga kreu i LDK-së.

“Kjo s’është rrjedha logjike e procesit. Nuk i takon opozitës të propozojë kandidatë. Kandidati që propozohet, duhet të zgjidhet. Ne kemi dashur dhe kemi pasur kandidat konsensual që përfaqëson së paku dy të tretën e popullsisë. Presidenti s’bëhet me kandidatura të njëanshme”, tha Abdixhiku.

Kushtetuta kërkon dy kandidatë për ta çelur zyrtarisht procesin e zgjedhjes së presidentit. LVV-ja ka mjaftueshëm vota për të propozuar edhe një kandidat tjetër, meqë ka mbështetjen edhe të dhjetë deputetetëve nga komunitetet joshumicë.

12:55 5.3.2026

Demokraci Plus: Opozita e ka edhe një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës

Albert Krasniqi nga organizata joqeveritare Demokraci Plus ka thënë përmes një postimi në Facebook se “opozita e ka vetëm edhe sot një mundësi të fundit për ta parandaluar bllokadën e radhës” që, sipas tij, po përgatitet nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për t’ua hapur rrugën zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

“Kjo mund të arrihet duke nominuar një kandidat të dytë për president, krahas Konjufcës tashmë të propozuar, dhe duke qëndruar në sallë vetëm gjatë raundit të parë të votimit, për t’u larguar në raundet pasuese. Thirrja e një seance të jashtëzakonshme për këtë proces mund të bëhet me 40 nënshkrime. Në këtë mënyrë aktivizohet rrjedhja e afatit kushtetues prej 60 ditësh për zgjedhjen e presidentit. Nëse brenda këtij afati presidenti nuk zgjidhet, vendi shkon automatikisht në zgjedhje të jashtëzakonshme”, ka thënë Krasniqi.

Nëse nuk veprohet kështu, sipas tij, duke filluar nga nesër vendi rrezikon të hyjë në një cikël të ri bllokade institucionale, “përmes manovrave procedurale dhe lojës me Gjykatën Kushtetuese, ku koha e zgjedhjeve do të diktohet nga momenti politik më i përshtatshëm për LVV-në”.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG