Lushaku: Kjo nuk është rrugëzgjidhje
Jehona Lushaku nga Lidhja Demokratike në opozitë e ka kundërshtuar mënyrën sesi është kërkuar të shqyrtohen amendamentet kushtetuese të presidentes Osmani për ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet presidenti i vendit.
Lushaku, e cila po e zëvendëson Doarsa Kica- Xhelili si anëtare e Komisionit për Legjislacion, tha se “i kemi përkrahur edhe përmbajtësisht, në parim pajtohemi me përmbajtjen e amendamenteve, por në krizën politike që jemi sot kjo nuk është absolutisht një rrugëzgjidhje e natës së sotme dhe urgjencës në të cilën këto procedohen”.
“Reformat kushtetuese kërkojnë kohë, kërkojnë analizë dhe kërkojnë mirëfilli që të pozicionohemi në dobi të funksionalitetit tonë dhe jo me urgjencë të procedojmë me amendamentet për të cilat nuk kemi as minimumin e kohës për të diskutuar”, tha Lushaku.
Ajo tha se këto amendamente po procedohen “pikërisht në natën e sotme kur ne do të duhej t`i jepnim vendit presidentin e shtetit, e ne po diskutojmë për karakterin politik dhe ndryshimet kushtetuese që e ndryshojnë në parim sistemin tonë politik”.
“Dhe kjo nuk është zgjidhja”, shtoi ajo.
Gruda kërkon kohë për shqyrtimin e amendamenteve
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, vazhdon t’i kundërshtojë qëndrimet e anëtarëve të tjerë nga partia në pushtet për shqyrtimin e amendamenteve.
Ai thotë se procedualisht kjo nuk mund të bëhet sonte dhe iu ka kërkuar atyre më shumë kohë për t’i lexuar amendamentet.
Gruda, i cili vjen nga partia opozitare PDK, e akuzoi partinë në pushtet për “propagandë” lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.
Anëtarët e komisionit nga partia në pushtet ngulin këmbë në shqyrtimin e amendamenteve
Anëtarët e Komisionit për Legjislacion nga partia në pushtet po vazhdojnë të argumentojnë se komisioni duhet të vazhdojë me shqyrtimin e amendamenteve për ndryshimin e zgjedhjes së presidentit të Kosovës dhe t’i procedojnë ato për votim në Kuvend.
Vigan Qorrollit tha se “as rregullorja e punës dhe as ky komision nuk janë pengesat e kalimit të amendamenteve kushtetuese”.
“Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje paraqes qëndrimin tonë që aktgjykimi i vitit 2012 (2011) është i vlefshëm dhe ne kërkojmë që këto amendamente sa më parë të kalojnë në procedurë parlamentare”, shtoi ai.
Rrustemi argumenton se komisioni duhet t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit
Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e partisë në pushtet, Adnan Rrustemi, ka argumentuar se komisioni duhet t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit, pas kundërshtimit nga kryetari i komisionit.
Rrustemi tha se janë “plotësuar tri elemente” që kjo të ndodhë.
“E para, pala e autorizuar që mund të propozojë amendamente që, në rastin konkret presidentja e republikës këtë autorizim, e ka me Kushtetutë. Elementi i dytë esencial, është që amendamentet para sa të votohen nga deputetët duhet t’i nënshtrohen vlerësimit nga Gjykata Kushtetuese për sa i përket pakësimit të lirive dhe të drejtave të njeriut”, tha Rrustemi.
Ai shtoi se elementi i tretë “është votimi i amendamenteve kushtetuese në procedurë kushtetuese në kuptimin e votës së kërkuar, në procesin e votimit të 2/3 e deputetëve dhe të procesit të votimit të dyfishtë natyrisht. Dy elementet e para procedurale, pavarësisht kohës, janë të përmbushura”.
Ai theksoi se afati kohor i amendamenteve në fjalë është krejtësisht “afat operativ i Kuvendit të Kosovës i përcaktuar me rregullore dhe nuk është afat përfundimtar dhe as nuk mund të jetë as logjikisht as proceduralisht”.
Ajo çfarë mbetet të ndodhë, sipas tij, është votimi në seancë pasi që Komisioni për Legjislacion t’ia ketë dërguar rekomandimin.
"Nëse ka vullnet politik nga partitë politike për të ecur përpara në këtë drejtim nuk shoh asnjë pengesë as procedurale, as juridike dhe as kushtetuese", shtoi ai.