Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit, Haxhiu i drejtohet Kushtetueses

E përditësuar

• Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, Kuvendi dështoi ta zgjedhë atë.

• Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.

• Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet.

• Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

• Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

• Paraprakisht presidentja Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi dështoi të mbledhë mbështetje për kalimin e tyre.

18:19 5.3.2026

Gruda thotë se amendamentet e Osmanit nuk duhet të shqyrtohen

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, tha se komisioni nuk mund t’i shqyrtojë amendamentet e dërguar nga presidentja Osmani.

Sipas Grudës, i cili vjen nga Partida Demokratike e Kosovës në opozitë, amendamentet janë të vjetra, pra nga viti 2011, dhe se ato nuk mund të sillen nga presidentja.

“Për t’u konsideruar një amendament i vlefshëm, duhet të niset nga fillimi, të dërgohet në Gjykatë Kushtetuese, të vjen nga Gjykata dhe Komisioni të mblidhen brenda shtatë ditëve qysh e kërkon rregullorja, dhe i procedon ato për seancë. Prandaj, ky propozim është i paafatshëm. Amendamentet e bëra para një dekade nuk mund të sillen sot dhe ato nuk mund të sillen nga presidentja”, argumentoi Gruda.

“Nuk ka asgjë të keqe të hapet debat për ndryshime kushtetuese, por kjo nuk mund të bëhet duke e shkelur Kushtetutën”, tha Gruda.

18:14 5.3.2026

Fillon mbledhja e Komisionit për Legjislacion

Mbledhja e Komisionit për Legjislacion e ka filluar një mbledhje për t'i shqyrtuar amendamentet e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

17:19 5.3.2026

Haxhiu ngarkon komisionin t’i shqyrtojë amendamentet e Osmanit

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se janë ngarkuar nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, që t’i shqyrtojnë amendamentet e propozuara nga presidentja Osmani.

Sipas Rrustemit, miratimi i këtyre amendamenteve eliminon “ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve”.

“Në përkrahje të këtyre amendamenteve, me këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre”, ka shkruar ai në Facebook.

Mbledhja për shqyrtimin e amandamenteve do të mbahet në orën 18:00, sipas Vigan Qorrollit, anëtarit të komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

17:04 5.3.2026

Eugen Cakolli: Vështirë që ndryshimet kushtetuese të ndodhin

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës, e sheh të vështirë dhe të papërshtatshme mundësinë e ndryshimeve kushtetuese për zgjedhjen e presidentit.

Ai ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë procedurën e cila duhet të ndiqet që amendamentet të hyjnë në fuqi, duke theksuar se për miratimin e tyre duhet aprovimi i shumicës së dyfishtë:

Amendamentet kushtetueses sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit janë dorëzuar në Gjykatë Kushtetuese në maj të viti 2012.

Për këto amendamente, që janë 11 sosh, gjykata pati dhënë vlerësimin e saj në korrik të vitit 2011, prej tyre gjykata pati rrëzuar 8 nene duke i lënë të tjerat në fuqi.

Kjo nënkupton që procedura kërkon përfshirjen e Gjykatës Kushtetuese, e që është më e gjata, tashmë është përmbyllur.

Në këtë rast, sipas rregullores të Kuvendit, nevojitet që Komisioni për Legjislacion t’ia paraqesë brenda një jave rekomandimet për amendamentet seancës plenare.

Seanca plenare tashmë mund të thirret kurdo, meqenëse është konsumuar afati javor që kur gjykata ka dhënë vlerësimin e sa.

Amendamentet votohen veç e veç në mënyrë të hapur dhe hyjnë në fuqi menjëherë pas momentit në votimit në Kuvend.

Sidoqoftë, në rastin e tanishëm, duhet të sillet në Kuvend edhe një ligj i ri që rregullon çështjen e zgjedhjes së presidentit. E ky i fundit, për t'u miratuar do të merrte kohë deri në dy apo tre muaj, përveç nëse ka shmangie nga afatet për të cilat nevojiten 2/3 të votave të deputetëve të pranishëm.

Në terma praktik, kjo situatë dhe skadimi i afatit e bënë jashtëzakonisht të vështirë e po aq edhe të papërshtatshme mundësinë e ndryshimeve kushtetuese dhe zgjedhjes së drejtpërdrejt të presidentit në rast të dështimit të zgjedhjes së presidentit aktual nga Kuvendi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG