Kryeparlamentarja e mbështet kërkesën e Osmanit
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka mbështetur kërkesën e presidentes Vjosa Osmani, që presidenti i Kosovës të zgjidhet përmes votës së popullit.
Në një reagim në Facebook, Haxhiu tha se i ka pranuar amendamentet kushtetuese nga Osmani, të cilat parashohin që presidenti të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli.
“Në këtë mënyrë eliminohen ngërçet që po e pengojnë funksionimin e institucioneve dhe që po e pamundësojnë stabilitetin e tyre. I bashkohem thirrjes së Presidentes për votimin e këtyre amendamenteve”, shkroi Haxhiu.
Cakolli thotë se zgjedhjet e reja të mundshme mund ta zënë KQZ-në pa anëtarë të rinj
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, njohës i çështjeve zgjedhore ka shkruar në Facebook se institucionet e Kosovës “duhet të sigurohen që të paktën përgatitja për zgjedhje të mos vihet në pikëpyetje”.
Ai këtë e ka thënë në kohën kur po diskutohet në qoftë se moszgjidhja e presidentit të Kosovës - për të cilën afati i fundit është sot- e çon vendin në zgjedhje.
Kjo nënkupton para së gjithash qartësi për përbërjen e KQZ-së (Komisionit Qendror të Zgjedhjeve), që është e lidhur me ciklin zgjedhor dhe duhet të reflektojë rezultatin e zgjedhjeve të fundit parlamentare, tha tutje ai.
Specifikisht, Cakolli ka thënë se në një skenar të mundshëm kur vendi do të shkonte në zgjedhje, afati për emërimin e anëtarëve të KQZ-së “është tashmë jashtëzakonisht i ngushtë”.
“Për më tepër, institucioni që i organizon ato duhet të jetë jo vetëm funksional dhe me mandat, por edhe i pakontestueshëm, në mënyrë që gjatë procesit zgjedhor të mos hyhet në debat për legjitimitetin e tij”, përfundoi Cakolli.
Osmani bën thirrje që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Kuvendit të bëjë ndryshime kushtetuese për ta mundësuar zgjedhjen e presidentit të vendit përmes votës së popullit.
"Duke parë dështimet e njëpasnjëshme në zgjedhjen e Presidentes/it, sapo kam proceduar në Kuvend amendamentet kushtetuese për zgjedhje të drejtpërdrejta të Presidentit/es, të cilat ishin hartuar nga Komisioni për amendamentimin e Kushtetutës në vitin 2011", shkroi Osmani.
Ajo u bëri thirrje të gjitha partitë politike t’i votojnë këto amendamente kushtetuese.
“Tash e tutje, le të flasë populli”, shkroi Osmani në Facebook.
Sipas Kushtetutës, presidenti i Kosovës zgjidhet nga Kuvendi përmes votimit të fshehtë të deputetëve.
Thirrja e Osmanit vjen pasi partitë politike nuk arritën marrëveshje për një president konsensual dhe Osmani nuk gjeti mbështetjen e tyre për një mandat të dytë.
LVV mund t’i drejtohet Kushtetueses nëse dështon zgjedhja e presidentit sonte
Këshilltari i kryeministrit Albin Kurti, Jeton Zulfaj, ka paralajmëruar se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse dështon zgjedhja e presidentit deri në përfundim të afatit kushtetues sonte në mesnatë.
Në disa postime të ndara në Facebook të enjten, Zulfaj ka thënë se mospjesëmarrja e deputetëve në votimet për presidentin përbën shkelje kushtetuese.
“A shkohet në zgjedhje në mënyrë automatike nëse dështon rundi i tretë për mungesë kuorumi prej 2/3-ve? Jo. Deputetët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese KO29/11, janë të obliguar të marrin pjesë në tri votimet për presidentin. Mospjesëmarrja e tyre nuk e dërgon vendin automatikisht në zgjedhje; përkundrazi, çështja dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, pasi mospjesëmarrja përbën shkelje të Kushtetutës”, ka shkruar ai.
Lëvizja Vetëvendosje e propozoi Glauk Konjufcën kandidat për president. Deri më tani, synimin për edhe një mandat në krye të shtetit e ka shprehur edhe presidentja Vjosa Osmani, por nënshkrimet për t'u nominuar si kandidate nuk janë mbledhur ende.
Që seanca për zgjedhjen e presidentit të zhvillohet në garë duhet të jenë së paku dy kandidatë.
Zulfaj tha se Osmani është zgjedhur kryeparlamentare dhe presidente me votat e Lëvizjes Vetëvendosje, por partia e Kurtit nuk ia ka më borxh ta zgjedhë prapë.
“Asnjë figurë e Lëvizjes Vetëvendosje nuk i ka mbajtur të dyja pozitat, pavarësisht kontributit dhe atributeve të tyre”, ka shkruar Zulfaj në Facebook.
Sipas tij, përveç presidentes Atifete Jahjaga, posti i presidentit është mbajtur nga figura partiake e kësisoj, thotë Zulfaj, ka qenë edhe Osmani kur është zgjedhur pesë vjet më parë.
“Vjosa sot nuk përfaqëson një subjekt politik, por nuk është figurë konsensuale, pasi karrierën e saj e ka ndërtuar si pjesë e subjekteve politike. Vjosa është figurë e nderuar, ish-kryeparlamentare dhe presidente dhe e denjë për çdo pozitë, por Vetëvendosje nuk ia ka borxh Vjosës ta bëjë presidente”.
Më tej Zulfaj ka thënë se Gjykata Kushtetuese e ka “ndërlikuar pa nevojë” zgjedhjen e presidentit.
“Kushtetuta ka përcaktuar qartë tri votime për zgjedhjen e presidentit, ku në votimin e tretë thuhet se ‘...kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet President i Republikës së Kosovës’. Gjykata votimin e tretë e ka barazuar praktikisht me dy votimet e para, ku kërkohen dy të tretat (2/3). Ky ka qenë një interpretim i dobët, sepse edhe pse kërkon pjesëmarrjen e deputetëve në votim, nuk parashikon mekanizma detyrues për këtë pjesëmarrje. Kësisoj është ndryshuar norma e Kushtetutës, e cila votimin e tretë e kishte paraparë si mekanizëm për dalje nga bllokada”.