Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.

Drejtpërdrejt Fillon seanca për presidentin, mungon opozita

E përditësuar

• Sot është afati i fundit kur Kosova duhet t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.

• Presidentja Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga vota e popullit. Kuvendi dështoi të mbledhë mbështetje për votimin e ndryshimeve kushtetuese dhe do të mbajë seancë të re së shpejti.

• Kuvendi po mban seancë për presidentin, me një mungesë të madhe deputetësh, çka do ta bënte të pamundur votimin.

20:23

Ende në pritje të nisjes së seancës së thirrur për orën 20:00

Kuvendi i Kosovës thirri seancë të jashtëzakonshme plenare për orën 20:00, por kur kanë kaluar rreth 25 minuta prej atëherë, nuk ka shenja se ajo do të fillojë tani për tani.

Në këtë seancë pritet të hidhen në votim amendamentet kushtetuese për ndryshimin e mënyrës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës, pra përmes votës së popullit.

20:13

Çfarë parashohin amendamentet e propozuara për presidentin

Amendamentet kushtetuese të propozuara nga presidentja Vjosa Osmani dhe të miratuara në Komisionin Parlamentar për Legjislacion parashohin të ndryshojnë mënyrën se si zgjidhet presidenti i Kosovës.

Këto ndryshime parashohin të ndryshojnë në tërësi Nenin 86 [Zgjedhja e Presidentit] të Kushtetutës së Kosovës.

Amendamentet parashohin që presidenti i Kosovës të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët, përmes votimit, dhe që zgjedhjet presidenciale të shpallen nga kryetari i Kuvendit, jo më vonë se 6 muaj para se të përfundojë mandati i presidentit aktual.

Sipas amendamenteve, nëse asnjëri nga kandidatët në rundin e parë të garës zgjedhore nuk arrin të marrë shumicë absolute prej më shumë se 50 për qind të votave të popullit, mbahet rundi i dytë i zgjedhjeve midis dy kandidatëve që kanë marrë numrin më të madh të votave herën e parë dhe kandidati që merr më së shumti vota në rundin e dytë zgjidhet president i Republikës së Kosovës.

Po ashtu, parashihet që të shtohet një nen i ri, i cili mundëson që mandati i presidentit aktual, që është zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës, të vazhdojë derisa presidenti i ri të zgjidhet dhe të bëjë betimin.

Amendamentet parashohin po ashtu mundësinë që të garojnë në zgjedhje presidenciale edhe ish-presidentët që kanë shërbyer para se të bëheshin këto ndryshime.

Presidentin e zgjedhur nga populli nuk mund ta shkarkojë Kuvendi, por organi ligjvënës mund ta dorëzojë në Gjykatën Kushtetuese peticionin për shkarkimin e tij, sipas amendamenteve.

19:54

Në pritje të seancës

Anëtari i Komisionit për Legjislacion nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se seanca do të mbahet sonte në një orë ende të papërcaktuar.

Derisa po presim të thirret zyrtarisht seanca për hedhjen në votim të amendamenteve kushtetuese lidhur me zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Partia Demokratike e Kosovës në opozitë është shprehur kundër saj.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Legjislacion, Përparim Gruda, ka thënë se seanca është e papranueshme.

“Prandaj do të shqyrtojmë nëse do të marrim pjesë për t’i dhënë qëndrimet tona ose jo, por seanca, si e tillë, është e papranueshme”, ka deklaruar ai.

E në lidhje me qëndrimin e PDK-së në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Gruda ka thënë që nuk ka ndryshuar.

“Nuk votojmë president partiak, president nën diktat të një force politike, sepse kjo forcë politike ka fituar 50 për qind të votave jo 100 për qind të votave, ne jemi këtu për me luajt rolin tonë”, shtoi ai.

REL-i ka kontaktuar edhe Vlora Konushevcin, këshilltare për marrëdhënie me publikun në kabinetin e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, për të marrë informacione në lidhje me mbajtjen e seancës, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

19:12

Komisioni i kalon amendamentet e Osmanit

Komisioni për Legjislacion i ka kaluar amendamentet e presidentes Vjosa Osmani për ndryshimin e mënyrës se si zgjidhet presidenti i vendit.

Pas një debati të nxehtë, amendamentet për ndryshime kushtetuese që presidenti i Kosovës të zgjidhet me votat e popullit, u miratuan me 6 vota për dhe 2 kundër.

Kjo nënkupton se këto amendamente tani mund të dërgohen në Kuvendin e Kosovës për t'u hedhur në votim.

Për të hyrë në fuqi, këto amendamente apo ndryshime kushtetuese, duhet të votohen nga dy të tretat e të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat e të gjithë deputetëve nga komunitetet joshumicë.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG