Ndërlidhjet

Seanca për zgjedhjen e presidentit, 28 prill 2026.
(Foto: Arben Hoti/REL)
Seanca për zgjedhjen e presidentit, 28 prill 2026. (Foto: Arben Hoti/REL)

Drejtpërdrejt Kurti sërish i bën apel opozitës të marrë pjesë në seancën për presidentin

E përditësuar
  • Seanca për zgjedhjen e presidentit të Kosovës vazhdon sot, në ditën kur skadon edhe afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.
  • seancën e së hënës, ku morën pjesë vetëm deputetët e shumicës, u votua për dy kandidatet për presidente, të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.
  • Rushiti mori 63 vota në rundin e parë, ndërsa Hoxha asnjë votë. Një votë tjetër ishte e pavlefshme.
  • Përfaqësues të opozitës dhe të shoqërisë civile thanë se votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm, cenon rendin kushtetues.
10:21

Ndiqeni REL-in edhe në...

10:10

Në pritje të seancës...

Edhe pse kanë kaluar 10 minuta nga ora 10:00, kur ishte paraparë të niste vazhdimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, në sallën e Kuvendit nuk është futur ende asnjë deputet.

Megjithatë, disa deputetë të partive opozitare janë parë duke hyrë në ndërtesën e Kuvendit.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në ndërtesën e Kuvendit, 28 prill 2026.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në ndërtesën e Kuvendit, 28 prill 2026.
09:51

GLPS: Votimi pa kuorum, shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) e cilësoi si rrezik për rendin demokratik vazhdimin e votimit për presidentin pa praninë e dy të tretave të deputetëve.

Lëvizja Vetëvendosje e nisi të hënën votimin për dy kandidate, edhe pse në sallë ishin më pak se 80 deputetë.

Në fund, Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa Hatixhe Hoxha asnjë, dhe seanca u ndërpre për të vazhduar sot.

Në reagimin e saj, GLPS-ja theksoi se seanca u zhvillua në kundërshtim me Kushtetutën.

Sipas saj, një nga proceset më të rëndësishme shtetërore po shndërrohet në lojë politike.

"Gjykata Kushtetuese, në aktgjykimet e rasteve Nr. KO 29/11, KO47/16 dhe KO68/26 ka qenë e qartë se për zhvillimin e votimit të presidentit/es kërkohet prania e 2/3 të të gjithë deputetëve. Çdo procedim përtej kësaj nuk është çështje interpretimi, por shkelje e drejtpërdrejtë e rendit kushtetues", thuhet mes tjerash në reagim.

09:45

A do të marrë pjesë opozita në seancë?

Derisa kanë mbetur edhe 15 minuta nga fillimi i seancës për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, ende nuk dihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë.

Radio Evropa e Lirë ka tentuar të kontaktojë disa prej tyre, por deri më tani pa përgjigje.

Seanca e 27 prillit u zhvillua pa praninë e opozitës.

Kryeministri Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ka deklaruar se ka bërë përpjekje për marrëveshje me partitë opozitare, por pa rezultat.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka kërkuar të propozojë vetë kandidatin për president, ndërsa është kritikuar nga LVV-ja për mungesë transparence.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në anën tjetër, ka kundërshtuar idenë që një parti - në këtë rast LVV - t’i kontrollojë tri institucionet kryesore të shtetit: Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën.

Kurti ka thënë se i ka ofruar LDK-së pjesëmarrje në Qeveri ose postin e kryeparlamentarit, por oferta është refuzuar. Një ofertë e ngjashme iu bë edhe PDK-së, por lideri i saj, Bedri Hamza, e cilësoi si joserioze, duke thënë se nuk kishte pasur ftesë zyrtare për takim.

Më pas, Kurti u ka kërkuar PDK-së dhe LDK-së të propozojnë tre emra jopartiakë për president, duke ofruar mbështetjen e LVV-së, por opozita e ka refuzuar edhe këtë ide, duke e cilësuar si joserioze dhe të papranueshme.

Në një fjalim para Kuvendit më 27 prill, Kurti tha se përgjegjësia e partive për çështjen e presidentit është në bazë të numrit të votave që kanë marrë.

Në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, LVV-ja ka siguruar mbi 51 për qind të votave dhe 57 deputetë në Kuvend, PDK-ja 20.2 për qind dhe 22 deputetë, ndërsa LDK-ja 13.2 për qind dhe 15 deputetë.

“LDK-ja dhe PDK-ja nuk kanë marrë iniciativë, ndonjë propozim, ndonjë emër. Kur iu ofrua mundësia konkrete, kanë zgjedhur heshtjen. Fakti që opozita nuk ka marrë asnjë iniciativë për zgjedhjen e presidentit është dëshmi e qartë e dështimit të marrjes së përgjegjësisë proporcionale”, tha Kurti.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG