Ndërlidhjet

Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.
Kuvendi i Kosovës, 5 mars 2026.

Kuvendi dështon ta zgjedhë presidentin e Kosovës në mungesë të kuorumit, Haxhiu i drejtohet Kushtetueses

• Më 5 mars, ditën e fundit kur Kosova duhej t’i niste procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri sipas afatit kushtetues, procesi dështoi në Kuvend.

• Seanca u ndërpre në mungesë të kuorumit, pasi në sallë mungoi opozita.

• Në garë ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha, të dy nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

• Tani, Kuvendi do të duhet ta zgjedhë presidentin brenda 60 ditësh, ose vendi shkon drejtpërdrejt në zgjedhje.

• Si pasojë, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, i kërkoi Gjykatës Kushtetuese t’i pezullojë afatet kushtetuese përkohësisht për zgjedhjen e presidentit të ri.

• Paraprakisht presidentja Vjosa Osmani solli amendamente kushtetuese që presidenti të zgjidhet nga vota e popullit, por Kuvendi dështoi të mbledhë mbështetje për kalimin e tyre.

11:18 5.3.2026

Osmani mund të mbajë konferencë pasdite

Bekim Kupina, këshilltar për media i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka sinjalizuar se ajo mund të mbajë një konferencë për media më vonë gjatë ditës.

“Pritet të ketë, mbase, pasdite. Ju njoftojmë”, ka thënë shkurt Kupina për mediat.

Presidentja Osmani.
Presidentja Osmani.

11:11 5.3.2026

Arianit Koci vetofrohet si kundërkandidat i Konjufcës

Duke qenë se Konjufca nuk e ka ende një kundërkandidat, avokati Arianit Koci është vetofruar publikisht për të hyrë në garë për, siç ka thënë ai, “shmangien e bllokimit të institucioneve”.

“Për ta formalizuar kandidimin duhen 30 nënshkrime deputetësh. Prandaj, i ftoj deputetët, qoftë të pozitës apo të opozitës, të m’i japin nënshkrimet sot, në mënyrë që të plotësohet kushti i dy kandidatëve për zgjedhjen e presidentit. Me vetëdije dhe vullnet të plotë po e bëj këtë hap, edhe pse e di se mund të më dëmtojë personalisht”.

Ai ka thënë se nuk e ka kontaktuar asnjë deputet për të kërkuar votë, por këtë hap e ka marrë “si një qytetar që nuk dëshiron ta shohë vendin e tij keq”.

Më 2025, kur Kosova përballej me krizë institucionale, Koci ka protestuar në forma të ndryshme para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

11:05 5.3.2026

E çka tha LVV-ja?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Adnan Rrustemi nuk komentoi shumë.

“Le të shpresojmë se sot zgjidhet presidenti... E prej nesër flasim për aspekte kushtetuese”, tha ai.

11:03 5.3.2026

Deklarimet e PDK-së dhe AAK-së

Para fillimit të seancës solemne për nder të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) në Kuvend, disa deputetë opozitarë janë deklaruar për gazetarët lidhur me çështjen e presidentit.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Përparim Gruda tha se moszgjedhja e presidentit sot do të çojë vendin automatikisht në zgjedhje.

“Nuk do duhej të kishim zgjedhje se njerëzit janë lodhur nga zgjedhjet. Por, kjo është situata”, tha ai.

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri tha se deputetët janë totalisht të painformuar se çfarë po ndodh.

“Nuk di askush kur ka seancë [për zgjedhjen e presidentit]. Sot është dita e fundit. Na ka ardhur vendi në rrethana jashtëzakonisht eksperimentale”, tha ai.


Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG