Si reaguan partitë tjera për emrin e Konjufcës?
Nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), partia më e madhe opozitare në vend, deputetja Vlora Çitaku tha se "tashmë është e qartë: Albin Kurti nuk kërkon zgjidhje, por pushtet total".
Çitaku shkroi në Facebook se "në kohën kur Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për maturi, unitet dhe përgjegjësi shtetërore, ai me vetëdije po e shtyn vendin drejt një krize të re politike".
Burime brenda PDK-së thanë për Radion Evropa e Lirë se deputetët e kësaj partie nuk shkojnë fare në seancë "derisa ka kandidatë partiakë pa marrëveshje politike".
Lidhja Demokratike të Kosovës (LDK) tha në Facebook se “qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi".
Sipas LDK-së, për shkak të qasjes “së papërgjegjshme politike të VV-së, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja”.
Pse LVV-ja nuk e kandidoi Osmanin?
Vjosa Osmani është bërë presidente më 2021 me kandidimin e Lëvizjes Vetëvendosje, por këtë herë partia nuk e ka përmendur emrin e saj.
Kur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pyetur nga gazetarët më 2 mars pse nuk po e propozon Osmanin, ai ka lënë të kuptohet se ajo nuk gëzon mbështetje të gjerë, duke thënë se "ne duhet t'i kemi 80 veta që qëndrojnë në sallë dhe votojnë minimalisht".
"Prioritet absolut e kemi shmangien e zgjedhjeve të reja, duhet të sigurohemi që jo t'i kemi 80, por 84 apo 85", ka thënë Kurti.
Donika Emini nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë i ka thënë Radios Evropa e Lirë një ditë më parë se Kosova u është qasur vazhdimisht zgjedhjeve presidenciale përmes cikleve të manovrimeve politike, e jo përmes ndërtimit të një konsensusi të mirëfilltë.
“Tani Kurti po i përdor numrat për ta arsyetuar vendimin e tij për Osmanin, megjithëse ai njihet për arrogancë ndaj numrave dhe për presion ndaj opozitës. Në këtë kuptim, një mandat i dytë për Osmanin nuk ishte kurrë i garantuar. Pavarësisht vlerësimeve të vazhdueshme të larta në publik, ajo nuk shihej domosdoshmërisht si një kandidate unifikuese parlamentare".
Sipas saj, rol në këtë situatë ka luajtur edhe “profili i fortë dhe i dukshëm ndërkombëtar i Osmanit”.
“Në një mjedis politik ku prestigji i politikës së jashtme ushqen autoritetin e brendshëm, kjo dinamikë është e rëndësishme. Për një kryeministër që ka qeverisur me një shumicë të fortë dhe kontroll të centralizuar politik, të mbetesh në hije në arenën ndërkombëtare nuk është çështje e vogël. Ka pasur gjithashtu momente fërkimi mes dy institucioneve: gjatë fazave të ndjeshme të dialogut të lehtësuar nga BE-ja me Serbinë, rreth aspekteve të Procesit të Berlinit dhe në menaxhimin e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara”.
Mes tjerash, ajo beson se “duke pasur parasysh karakterin e fortë politik të Osmanit dhe një shkallë të caktuar paparashikueshmërie, ai skenar paraqet pasiguri afatgjatë për Kurtin: një presidente e pavarur sot mund të bëhet një konkurrente e drejtpërdrejtë politike nesër”.
Çka parasheh Kushtetuta?
Në nenin e Kushtetutës për zgjedhjen e presidentit thuhet se presidenti i ri duhet të zgjidhet 30 ditë para se të përfundojë mandati i presidentit aktual, që në rrethanat e tanishme është data 5 mars, para se Vjosa Osmani ta përfundojë mandatin e saj më 4 prill.
Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, tha për Radion Evropa e Lirë një ditë më parë se edhe nëse Kosova nuk e zgjedh presidentin deri më 5 mars, vendi nuk do të përballet domosdo me zgjedhje.
Sipas tij, nëse nuk përmbushet ky afat 30-ditor, bëhet shkelje kushtetuese, por nuk ka pasojë juridike sikurse është shkuarja në zgjedhje. Miftaraj thotë se nuk ekziston një nen ku mund të bazohej dekreti për shpërndarjen e Kuvendit.
Përshëndetje të nderuar lexues,
Duket se sot do të jetë një e enjte me plot zhvillime në Kosovë, meqë është dita e fundit kur vendi mund t’i nisë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV), parti në pushtet, e ka kandiduar Glauk Konjufcën, aktualisht zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, për pozitën e presidentit.
Por, për t’u thirrur seanca nevojitet edhe një kandidat i dytë, që duhet propozuar me sigurimin e 30 nënshkrimeve.
LVV-ja ka thënë se ka gatishmëri t’ua sigurojë nënshkrimet edhe partive opozitare nëse kanë ndonjë kandidat për president, por ato nuk kanë përmendur ndonjë emër konkret.
Kjo parti ka thënë se nënshkrimet ia ka ofruar edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, e cila synon një mandat të dytë, por që ajo ka refuzuar.
Presidenca ka dalë me qëndrimin që këto deklarata janë gënjeshtra.
Qëndroni me ne për t’u informuar në kohë reale për zhvillimet më të fundit për këtë çështje.